Gruda: E papranueshme që ligji për Dhomat e Specializuara të mos jetë në rend dite në Qeveri
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka kritikuar mospërfshirjen në rendin e ditës në mbledhjen e Qeverisë projektligjin për Dhomat e Specializuara, duke e cilësuar këtë të papranueshme dhe të pashpjegueshme.
Para mbledhjes së Grupit Parlamentar të PDK-së, Gruda ka thënë se kjo çështje duhet të jetë prioritet, duke kritikuar edhe Komisionin për Legjislacion për mospërfshirjen e saj në rendin e ditës.
“Për ne është absurde që Qeveria sot nuk e ka në rend dite dhe komisionet parlamentare, veçanërisht Komisioni për Legjislacion, nuk e ka sot në rend dite. Është e papranueshme, nuk mund të ketë çështje më prioritare se kjo. Është e pashpjegueshme kjo mungesë e vetëdijes, e ndërgjegjes kombëtare me këtë rast”, tha ai.
Gruda ka përsëritur qëndrimin e kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se partia nuk do të diskutojë për këtë temë pa u përmbyllur çështja e ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Ne e kemi të qartë pozicionin që e ka thënë kryetari Hamza. Ne diskutojmë për presidentin vetëm kur çështja e ligjit për Gjykatën Speciale të mbyllet”, tha Gruda.