Avokati i Popullit për Specialen: Caktimi i panelit ngre shqetësim në këtë fazë

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka shprehur shqetësim lidhur me mënyrën e caktimit të paneleve gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Qelaj ka thënë se caktimi i panelit me vendim autonom të kryetares, pa kontroll ose kritere të përcaktuara, ngre pikëpyetje për garantimin e pavarësisë së procesit.

“Caktimi i panelit ngre një shqetësim në këtë fazë. Paneli caktohet me vendim autonom të kryetares, pa iu nënshtruar asnjë kontrolli ose kriteri që e bën të besueshëm dhe garanton se nuk ka ndikime ose ndërhyrje”, ka deklaruar Qelaj.

Ai ka theksuar se këtë shqetësim e ka ngritur edhe më herët, ndërsa sipas tij, një çështje e tillë është evidentuar edhe në një raport të palës britanike.

Qelaj ka ngritur shqetësime edhe për rolin e kryetares së Dhomave të Specializuara, duke thënë se ajo ka qenë pjesë e takimeve ku është diskutuar për dënimin e të dyshuarve para nisjes së procedurave gjyqësore.

“Edhe më shqetësuese e bën faktin që kryetarja është protagoniste e takimeve ku flitet për dënimin e të dyshuarve, akoma pa nisur procedura, duke aluduar në dënime të përjetshme”, ka thënë ai.

Në fund, Avokati i Popullit ka bërë thirrje që Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian të reagojnë lidhur me këto shqetësime.

“Prandaj, është koha që vetë Këshilli i Evropës dhe BE-ja të reagojnë. Përndryshe, kjo çështje po rrëshqet nga respektimi i standardeve minimale dhe po shndërrohet në një proces që as përafërsisht nuk garanton respektimin e të drejtave themelore, e aq më pak një proces të drejtë gjyqësor”, ka deklaruar Qelaj. /Gazeta10