Murati në natën e 14-të të protestës: Vendimet e Speciales kanë goditur edhe thelbin e luftës së UÇK-së

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Valon Murati, ka mbajtur fjalim në protestën e natës së 14-të, të organizuar në kundërshtim me vendimet e Dhomave të Specializuara të Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Murati ka deklaruar se UÇK-ja nuk përfaqësohet vetëm nga dëshmorët e saj, por edhe nga ish-pjesëtarët që janë ende gjallë, duke përmendur Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Sali Mustafën – Calin dhe Pjetër Shalën.

“UÇK-ja dhe lufta jonë për liri nuk është vetëm term abstrakt dhe nuk është as vetëm dëshmorët e saj. UÇK-ja ishin dhe janë edhe djemtë dhe vajzat më të mira të kombit shqiptar që sot janë gjallë. UÇK-ja dhe liria e Kosovës ishin dhe janë edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Sali Mustafa – Cali e Pjetër Shala. Dhe sot ne jemi përballë një situate të rëndë, kur këta djem të rinj të dikurshëm, që me vizionin politik dhe trimërinë e tyre sfiduan prangat e robërisë në moshën e tyre të re, e të shndërruar më vonë në burrë-shtetas, janë dënuar dhe mbahen padrejtësisht në Hagë”, ka thënë Murati.

Ai ka kritikuar vendimet e Dhomave të Specializuara, duke thënë se, sipas tij, ato nuk kanë prekur vetëm individët që po gjykohen në Hagë, por edhe mënyrën se si është trajtuar lufta e UÇK-së.

“Por nuk mbahen vetëm ata peng, por vendimet e Dhomave të Specializuara kanë goditur rëndë edhe thelbin e luftës sonë të drejtë çlirimtare, duke e shpallur SHP të UÇK-së, Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale. Ne sot duke e ngritur lart grushtin si Presidenti Thaçi, grushtin që është kthyer në simbol të këtyre protestave, të unitetit dhe mosnënshtrimit tonë, u themi: Jo në emrin tonë!!!”, është shprehur ai.

Murati ka thënë se lufta e UÇK-së, sipas tij, ishte e pashmangshme dhe e domosdoshme për arritjen e lirisë, duke iu referuar edhe deklarimeve të Sali Mustafës – Calit gjatë procesit gjyqësor.

“Cali gjatë gjykimit të tij, tha se Lufta Çlirimtare e UÇK-së ishte e pashmangshme dhe e domosdoshme. Ishte e pashmangshme sepse mund të na imponohej nga Serbia dhe nuk kishim rrugë tjetër, dhe ishte e domosdoshme nëse e donim lirinë dhe pavarësinë. Ne nuk e kemi dashur luftën. Por e kemi dashur lirinë më shumë se jetën. Andaj këtu jemi, si përherë, në mbrojtje të fryteve të lirisë, në mbrojtje të shokëve tanë në Hagë, në mbrojtje të udhëheqësve të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe në mbrojtje të luftës së UÇK-së”, ka deklaruar Murati.

Në fund të fjalimit, ai ka folur edhe për rolin e rinisë, duke thënë se brezi i ri po e vazhdon, sipas tij, mesazhin e UÇK-së dhe të lirisë. Murati ka theksuar se kjo përgjegjësi tashmë po kalon te të rinjtë, të cilët, sipas tij, po e kthejnë simbolikën e UÇK-së te qytetarët.

“E në këtë rrugë ne po e dorëzojmë stafetën, apo më mirë themi, po na e merr stafetën rinia jonë e mrekullueshme. Rinia e cila e ka marrë stafetën e UÇK-së e po ia kthen në gjirin e tij krejt popullit, duke e shndërruar prapë të lavdishmen UÇK në simbolin më të madh të lirisë së Kosovës, popullit shqiptar dhe bashkimit kombëtar”, ka përfunduar Murati.

Artisti i njohur, Hysni Klinaku u shpreh poashtu në përkrahje të ish krerëve të UÇK-së, ku tha se liria u fitua me gjak, luftë dhe diplomaci.

“Këta burra luftën e bënë përkrah Adem Jasharit e Zahir Pajazitit. E bënë përkrah Shkëlzenit e Luan Haradinajt. Luftën për lirinë e Kosovës e bënë përkrah Fehmi Lladrovcit e Mujë Krasniqit. Andaj sot ne nga këtu të kujtojmë e kurrë mos të harrojmë atë që kemi fituar sot. Se Kosovën e lirë kështu na e falën. Atë liri pra e fituam me gjak, e paguam me jetë dhe luftën edhe me diplomaci. Nga kjo luftë lindi një realitet i ri që bota e civilizuar e njeh, në masë të madhe e gjithë bota, si Republika e Kosovës”, tha Klinaku.