Komuna e Mitrovicës anulon ekskursionin e maturantëve të Shkollës së Mjekësisë
Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Mitrovicë ka anuluar ekskursionin e maturantëve të Shkollës së Mjekësisë, i cili ishte planifikuar të nisej të mërkurën në mëngjes.
Drejtoresha e Shkollës së Mjekësisë, Drita Qamili, ka deklaruar për Klan Kosova se deri më tani nuk janë në dijeni për arsyet e anulimit, pasi shkolla ende nuk ka pranuar njoftim zyrtar me shkrim nga DKA-ja.
“Ende nuk kemi pranuar me shkrim arsyetimin për anulimin e ekskursionit”, është shprehur Qamili.
Ndërkohë, Këshilli Drejtues i Shkollës dhe Komisioni Përzgjedhës pritet të mblidhen nga ora 18:00 për të diskutuar lidhur me situatën dhe hapat e mëtejmë.
Ekskursioni i maturantëve ishte planifikuar të nisej nesër në mëngjes, ndërsa mbetet e paqartë nëse ai do të zhvillohet në një datë tjetër.
Deri në marrjen e një njoftimi zyrtar nga DKA-ja, shkolla thotë se nuk ka informacione të tjera lidhur me arsyet e anulimit.