EPP-ja dënon nderimet shtetërore e ushtarake për Ratko Mladiqin në Beograd

Asambleja Politike e Partisë Popullore Evropiane (EPP) ka miratuar një deklaratë për Serbinë, lidhur me zhvillimet e fundit rreth funeralit të Ratko Mladiqit në Beograd. EPP e dënoi pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë serbë dhe nderimet shtetërore e ushtarake gjatë funeralit të ish-komandantit ushtarak serb të Bosnjës, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte. 

Në deklaratë thuhet se pamjet nga funerali ishin “thellësisht shqetësuese”, ndërsa theksohet se krimet për të cilat Mladiqi është dënuar nga gjykatat ndërkombëtare nuk duhet të relativizohen, glorifikohen apo harrohen.

EPP shprehet se pjesëmarrja e zyrtarëve të lartë serbë dhe nderimet publike ndaj Mladiqit janë në kundërshtim me vlerat e pajtimit, respektit për viktimat dhe përgjegjësisë, të cilat, sipas saj, qëndrojnë në themel të projektit evropian.

“Asambleja Politike i bëri jehonë mosbesimit dhe dënimit të shprehur nga udhëheqja e EPP-së dhe komuniteti ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë.

EPP-ja thekson gjithashtu se, në kuadër të procesit të vazhdueshëm të shqyrtimit të statusit të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), këto zhvillime nuk mund të injorohen. SNS është anëtare e asociuar e EPP-së që nga viti 2016.

Deklarata vjen pasi Asambleja Politike e EPP-së u mblodh më 28-29 shtator në Toulouse të Francës.