Shoqata e Qumështoreve të Kosovës: Fermerët rrezikojnë falimentimin për shkak të vonesave në pagesa
Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka reaguar lidhur me gjendjen në sektorin e qumështit, duke paralajmëruar për vështirësi të mëdha financiare për fermerët dhe pikat grumbulluese.
Sipas Shoqatës, vetëm gjatë dy ditëve të fundit, një pikë grumbulluese në fshatin Mleqan të Malishevës është detyruar të ndërpresë bashkëpunimin me 14 fermerë dhe të shkëpusë marrëveshjet për furnizim me qumësht, për shkak të vonesave të mëdha në pagesa.
Shoqata thotë se pagesat për qumështin e dorëzuar po vonohen deri në gjashtë muaj, duke i vënë fermerët dhe pikat grumbulluese në vështirësi serioze financiare.
“14 fermerë nuk mund ta shesin qumështin e tyre, jo sepse nuk ka treg, jo sepse çmimi është i ulët, por sepse pagesat për qumështin e dorëzuar po vonohen deri në 6 muaj”, thuhet në reagim.
Sipas Shoqatës, pikat grumbulluese, të cilat ndodhen ndërmjet përpunuesve dhe fermerëve, janë ngarkuar drejtpërdrejt me borxhe dhe detyrime, pavarësisht se, siç theksohet në reagim, nuk kanë qenë përgjegjëse për krijimin e kësaj situate.
Akuzat për përdorimin e vajit të palmës
Një pjesë e reagimit i kushtohet edhe përdorimit të vajit të palmës në produktet e qumështit.
Shoqata pretendon se përdorimi i tij ka dëmtuar zinxhirin vendor të prodhimit të qumështit dhe ka krijuar vështirësi për mijëra fermerë.“Përdorimi i vajit të palmës në produktet e qumështit ka dëmtuar rëndë zinxhirin e prodhimit vendor të qumështit dhe ka vënë në vështirësi të mëdha mijëra fermerë”, thuhet në reagim.
Shoqata pretendon gjithashtu se konsumatorët janë përballur me produkte që, sipas saj, janë paraqitur ose maskuar në mënyrë që të krijohet perceptim i gabuar për përbërjen e tyre.
Në reagim thuhet se kjo situatë ka zgjatur për më shumë se 15 vjet dhe se ka dëmtuar fermerët, konsumatorët dhe industrinë e qumështit.
Shoqata shpreh shqetësim edhe për investimet publike dhe private në sektor, duke argumentuar se kriza mund të rrezikojë investime të konsiderueshme të bëra ndër vite.
Shoqata e Qumështoreve të Kosovës kërkon që institucionet të ndërhyjnë për të garantuar një treg më transparent dhe funksional, si dhe për të siguruar që fermerët të paguhen në kohë për qumështin e dorëzuar.
“FERMERËT NUK MUND TË FALIMENTOHEN DUKE PRITUR PAGESËN E QUMËSHTIT! KONSUMATORËT NUK MUND TË MASHTROHEN DHE TË PAGUAJNË EDHE ME SHËNDET!”, thuhet në reagim.
Sipas Shoqatës, përgjegjësia për detyrimet ndaj fermerëve duhet të jetë e qartë, ndërsa pagesat për qumështin e dorëzuar duhet të kryhen brenda afateve të përcaktuara.
Shoqata thekson se zgjidhja duhet të jetë një treg i rregullt, transparent dhe i kontrolluar, në të cilin qumështi i fermerëve grumbullohet, përpunohet dhe paguhet në kohë.