Ndahet nga jeta fotografi italian Umberto Pizzi, dëshmitar i 60 viteve të historisë së Italisë

Është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare Umberto Pizzi, një prej fotoreporterëve më të njohur italianë, i cili për më shumë se gjysmë shekulli dokumentoi me aparatin e tij momente, personazhe dhe ngjarje që shënuan historinë bashkëkohore të Italisë.

I lindur në Zagaro, Romë, në vitin 1937, Pizzi nisi të fotografonte në vitin 1968 dhe prej atëherë nuk u nda nga aparati fotografik, duke lëvizur nëpër rrugët e Romës dhe më gjerë për të fiksuar në imazhe jetën publike, politike e shoqërore të vendit.

Gjatë karrierës së tij, ai fotografoi vitet e “Dolce Vita”-s, personazhe të njohura të kinemasë dhe kulturës, si edhe histori të famshme dashurie, mes tyre atë të Elizabeth Taylor dhe Richard Burton.

Pizzi ishte gjithashtu ndër fotografët e parë që mbërritën në via Fani më 16 mars 1978, ditën e rrëmbimit të Aldo Moros, duke dokumentuar një prej ngjarjeve më dramatike të historisë politike italiane.

Karriera e tij nuk u kufizua vetëm në Itali. Pizzi punoi edhe si fotoreporter lufte për FAO-n, duke fotografuar në Iran, Irak, Turqi, Siri dhe Jordani.

Ai la pas një arkiv të jashtëzakonshëm, me më shumë se 500 mijë imazhe dhe rreth dy milionë fotografi, një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së tij fotografike që i është besuar ruajtjes nga Ministria italiane e Kulturës.

Pizzi nuk e pëlqente veçanërisht përkufizimin “paparazzo”. Për të, fotografia ishte mbi të gjitha një mënyrë për të dëshmuar realitetin. “Fotografitë, ndryshe nga fjalët, thonë të vërtetën”, kishte deklaruar ai në një intervistë të fundit. /abcnews