Supremja shfuqizon kriterin për specializimin në Biokimi Klinike për të diplomuarit në Farmaci
Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar si të themeltë padinë e Shoqatës së Biokimistëve Klinikë të Kosovës kundër Ministrisë së Shëndetësisë, duke shpallur të paligjshme dhe shfuqizuar dispozitën që u mundësonte të diplomuarve në Farmaci të aplikonin për specializim në Biokimi Klinike.
Bëhet fjalë për pikën C të Shtojcës 2 të Udhëzimit Administrativ nr. 02/2026 për Shkollimin Specialistik, e cila përcaktonte fushat në të cilat mund të specializonin personat që kanë përfunduar Masterin në Farmaci, transmeton Zeri.info.
Në aktgjykim, Gjykata Supreme ka vlerësuar se përfshirja e Biokimisë Klinike në këtë listë është e papranueshme, duke theksuar dallimet ndërmjet formimit akademik dhe profesional të farmacistëve dhe biokimistëve klinikë.
Sipas Gjykatës, Farmacia është e orientuar kryesisht drejt barnave, produkteve medicinale dhe përdorimit të tyre, ndërsa Biokimia Klinike fokusohet në analizat laboratorike dhe mbështetjen laboratorike të procesit diagnostik.
Gjykata ka theksuar se specializimi pasuniversitar duhet të ndërtohet mbi formimin paraprak profesional të kandidatit dhe se ekzistenca e lëndëve të përbashkëta, si kimia, biologjia apo fiziologjia, nuk është e mjaftueshme për t'i barazuar këto dy profile.
“Fakti që programi i Farmacisë përmban elemente të Biokimisë nuk e shndërron farmacistin në biokimist klinik”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës.
Sipas aktgjykimit, lejimi i personave pa formimin bazë përkatës për të ushtruar më pas veprimtari në fushën e Biokimisë Klinike, përfshirë shërbimet laboratorike diagnostikuese, do të krijonte një profil profesional përmes specializimit që nuk është fituar gjatë studimeve bazë dhe masterit.
Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se Ministria e Shëndetësisë nuk ka dëshmuar se zgjerimi i kritereve për specializim në Biokimi Klinike ishte bërë për shkak të një nevoje të përcaktuar shëndetësore.
Sipas Supremes, kërkesat e grupeve ose shoqatave të ndryshme profesionale nuk mund të prevalojnë ndaj nevojave të sistemit shëndetësor dhe nuk mund të cenojnë cilësinë e shërbimeve shëndetësore.
Në aktgjykim është konstatuar edhe se dispozita e kontestuar bie ndesh me nenin 5 të Udhëzimit Administrativ nr. 03/2013 për Standardet e Hartimit të Akteve Normative.
Gjykata ka vlerësuar se çështja e specializimeve ishte tashmë e rregulluar me Udhëzimin Administrativ nr. 01/2023 dhe se, nëse kishte nevojë për ndryshime, ato duhej të bëheshin përmes ndryshimit dhe plotësimit të aktit ekzistues e jo përmes nxjerrjes së një udhëzimi të ri administrativ. /Zëri