Gjykimi për shpërthimin në Ibër-Lepenc, të akuzuarit dalin para Gjykatës

Të akuzuarit në rastin e sulmit në kanalin “Ibër Lepenc” në Zubin Potok, Dragisha Viqentijeviq, Jovan Viqentijeviq dhe Igor Dimoviq, janë paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku do të vazhdojë seanca gjyqësore ndaj tyre.

Vëllezërit Viqentijeviq akuzohen për rrezikim të rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike, në lidhje me kryerjen e veprës terroriste, si dhe për armëmbajtje pa leje.

Jovan Viqentijeviq ngarkohet edhe me spiunazh, ndërsa Igor Dimoviq akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Shpërthimi ndodhi më 29 nëntor 2024, në fshatin Varagë të Zubin Potokut.

Sipas aktakuzës, në kanal ishte vendosur një çantë me rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit TNT, ndërsa Jovan Viqentijeviq dyshohet se kishte ndezur fitilin.

Sulmi dëmtoi infrastrukturën e furnizimit me ujë dhe rrezikoi furnizimin e termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës, rrjedhimisht edhe prodhimin e energjisë elektrike.

Një nga provat ku mbështetet prokuroria është ekzaminimi krahasues i dheut të gjetur në çizmet e sekuestruara dhe mostrave të marra pranë vendit të shpërthimit.

Sipas përshkrimit në aktakuzë, në këtë ekzaminim janë përfshirë edhe ekspertë të FBI-së amerikane.

Prokuroria pretendon se ngjashmëria ndërmjet mostrave i lidh vëllezërit Viqentijeviq me vendin e ngjarjes.

Prokuroria Speciale pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtoria Kundër Terrorizmit, dhe me partnerët evropianë ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Jovan Viqentijeviq e Dragisha Viqentijeviq, dhe Igor Dimoviq për veprat penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje”, dhe “Spiunazh”.

Sipas aktakuzës, më 29.11.24 në fshatin Varragë, Komuna e Zubin Potokut, në pjesën e kanalit “Ibër Lepenc”, të pandehurit Viqentijeviq, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, kanë vendosur eksploziv (rreth 20 kilogramë të llojit Trinitrotoluene “TNT”) në brendësi të kanalit.

Vëllezërit Viqentijeviq akuzohen se lëndën shpërthyese e kanë aktivizuar përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, ku si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit të kanalit, “Ibër Lepenc”, është shkaktuar ndërprerje e furnizimit me ujë të pijshëm, është rrezikuar prodhimi i energjisë elektrike, dhe ndërmarrjes “Ibër Lepenc”, i është shkaktuar dëm në vlerë prej 376,774.70 eurosh.

Sipas aktakuzës, me këto veprime, të pandehurit Viqentijeviq kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin ose dëmtimin e instalimeve publike” nga Neni 122 në lidhje me “Kryerjen e veprës terroriste”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Jovan Viqentijeviq deri në momentin e arrestimit, në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, Kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat t'i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës. /eo