Dy të zhdukurit që u identifikuan javën e kaluar nuk lidhen me zhvarrosjet në Zubin Potok

Dy persona të zhdukur gjatë luftës në Kosovë janë identifikuar përmes analizave të ADN-së, ka njoftuar Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Komisioni ka bërë të ditur se javën e kaluar ka pranuar dy raporte të ADN-së për identifikimin e mbetjeve mortore, ndërsa ka theksuar se rastet nuk kanë lidhje me zhvarrosjet e fundit në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut, transmeton Zeri.info.

“Këto dy identifikime nuk lidhen me zhvarrosjet në Kalludër dhe Jabukë, as me zhvillimet e fundit në Zubin Potok dhe as me ndonjë lokacion tjetër të adresuar gjatë këtij viti”, thuhet në njoftimin e Komisionit.

Sipas Komisionit, identifikimet janë rezultat i rishqyrtimit të hollësishëm të mbetjeve mortore që ndodhen në morgun e Institutit për Mjekësi Ligjore, si dhe i mbledhjes së mostrave biologjike referuese plotësuese nga familjarët.

“Bëhet fjalë për mbetje mortore të zhvarrosura më herët, e jo gjatë aktiviteteve të fundit në terren”, sqaron Komisioni.

Raportet e ADN-së i janë përcjellë Institutit për Mjekësi Ligjore, i cili pas verifikimeve përkatëse konfirmon zyrtarisht identifikimin.

Komisioni ka njoftuar se gjatë kësaj jave familjet do të informohen për rezultatet dhe hapat e mëtejshëm, në përputhje me procedurat përkatëse.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka thënë se mbetet i përkushtuar në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës dhe në respektimin e të drejtës së familjeve për të ditur të vërtetën. /Zëri