Për herë të parë në Kosovë, nis heqja e një dige për rikthimin e rrjedhës së lirë të lumit
Organizata mjedisore "Ecopana" ka njoftuar se ka nisur punën për heqjen e një dige në lumin Mirusha, me synim rikthimin e rrjedhës së lirë të lumit.
Sipas Ecopanës, diga është në gjendje të degraduar dhe, përveç pengimit të rrjedhës natyrore të lumit, ndikon edhe në grumbullimin e ujit dhe sedimenteve. Sipas organizatës, kjo ka shtuar shqetësimet për vërshime dhe sigurinë e banorëve që jetojnë pranë lumit.
"Ecopana" ka bërë të ditur se vendimi për ndërhyrjen është marrë pas një sërë raportesh, studimesh profesionale dhe koordinimesh ndërinstitucionale.
Organizata thotë se puna po zhvillohet në përputhje me vendimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për heqjen e barrierave të vjetruara nga lumenjtë dhe rikthimin e rrjedhës së tyre të lirë.
Sipas "Ecopanës', kjo përbën rastin e parë në Kosovë të heqjes së një dige me qëllim rikthimin e rrjedhës së lirë të një lumi.
“Për herë të parë në Kosovë, po hiqet një digë për t’ia rikthyer lumit rrjedhën e lirë”, thuhet në njoftimin e organizatës.
"Ecopana" ka theksuar se lumi Mirusha ka rëndësi të veçantë edhe për biodiversitetin. Në këtë zonë është zbuluar lloji i merimangës Eratigena mirusha, i cili mban emrin e lumit.
Pas heqjes së digës, organizata synon të punojë në rikthimin e shtratit të lumit dhe monitorimin e tij, ndërsa përvoja e krijuar nga ky projekt pritet të përdoret edhe në ndërhyrje të ardhshme në lumenjtë e Kosovës.
Sipas "Ecopanës", projekti po realizohet me mbështetjen e Open Rivers Programme, të cilës organizata i ka shprehur mirënjohje për bashkëpunimin.