Gjykata vendos të gjykojë në mungesë 21 të akuzuarit për krime lufte gjatë luftës në Kosovë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që gjykimi në mungesë ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte kundër popullatës civile të vazhdojë, pasi ka vlerësuar se janë bërë përpjekje të mjaftueshme ligjore për sigurimin e pranisë së tyre.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Atdhe Dema, ka vlerësuar se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për zhvillimin e seancës në mungesë dhe ka propozuar vazhdimin e shqyrtimit fillestar.

“Besoj fuqishëm që të gjitha përpjekjet tona, ashtu siç kërkohet me dispozita ligjore, janë ndërmarrë dhe prandaj propozoj të vazhdojmë me shqyrtimin fillestar”, tha Dema.

Pas këtij propozimi, gjyqtarja Medie Bytyqi kërkoi mendimin e avokatëve mbrojtës nëse pajtoheshin me vazhdimin e seancës në mungesë të të akuzuarve.

Të gjithë avokatët u pajtuan se Prokuroria kishte bërë përpjekje të mjaftueshme ligjore për zhvillimin e seancës në mungesë, me përjashtim të avokatit Shkumbin Asllani, i cili kërkoi verifikimin nëse ishin përmbushur plotësisht kushtet ligjore dhe nëse ishin bërë të gjitha përpjekjet e nevojshme për zhvillimin e gjykimit në mungesë.

Pas dëgjimit të palëve, gjyqtarja Medie Bytyqi njoftoi vendimin e gjykatës për vazhdimin e procedurës në mungesë të të akuzuarve.

“Merr aktvendim, mbahet gjykimi në mungesë. Të akuzuarit do të përfaqësohen gjatë tërë procedurës penale nga avokatët”, tha Bytyqi.

Ajo theksoi se gjykata ka bërë të gjitha përpjekjet ligjore për sigurimin e të akuzuarve, por, meqë prania e tyre është pamundësuar, ka ardhur në përfundim se janë plotësuar kushtet për zhvillimin e gjykimit në mungesë.

Pas vendimit të gjykatës, prokurori Atdhe Dema lexoi aktakuzën ndaj 21 të akuzuarve, të cilët akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile gjatë periudhës janar-qershor të vitit 1999, në kohën e luftës në Kosovë.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë ushtruar autoritet dhe kontroll efektiv mbi forcat që vepronin nën përgjegjësinë e tyre dhe kanë qenë në dijeni për veprimet që dyshohet se kryheshin nga këto forca, përfshirë shkatërrimin e pronës, djegien e shtëpive dhe objekteve të infrastrukturës civile, përndjekjen dhe ndalimin arbitrar të personave në baza etnike.

Prokuroria pretendon se forcat nën komandën ose kontrollin e tyre kanë kryer edhe sulme të armatosura ndaj fshatrave dhe qyteteve të banuara me popullsi civile shqiptare, me qëllim të zhvendosjes me dhunë të popullsisë.

Sipas aktakuzës, këto veprime kanë rezultuar me organizimin e kolonave të detyruara të civilëve shqiptarë drejt kufijve të Shqipërisë dhe Maqedonisë, ndërsa numri i përgjithshëm i të dëbuarve vlerësohet në rreth 862 mijë e 979 persona.

Prokuroria pretendon gjithashtu se të akuzuarit nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme, që ishin në kompetencën dhe përgjegjësinë e tyre, për të parandaluar këto veprime, për t’i penguar autorët apo për t’i raportuar aktet e kundërligjshme tek autoritetet përkatëse.

Të 21 të akuzuarit janë: Zlatomir Peshiq, Mladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavljeviq, Bogoljub Janiçeviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Krsman Jeliq, Ljubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Millosh Doshan, Ljubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq dhe Millovan Kovaçeviq.

Ata akuzohen për veprën penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile. /EO