U kap me mbi dy kg marihuanë në Vërmicë, aktakuzë ndaj shtetasit të Shqipërisë

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetasi të Shqipërisë, i cili dyshohet se ka importuar pa autorizim narkotikë në Kosovë.

“Sipas aktakuzës, më 8 shtator 2026, rreth orës 19:30, në pikëkalimin kufitar të Vërmicës, i pandehuri Xh.K., ka importuar pa autorizim substanca narkotike të llojit marihuanë. I njëjti, substancën narkotike e kishte siguruar në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe më pas, në afërsi të një pike të shitjes së derivateve pranë stacionit të autobusëve në Tiranë, kishte hipur në një autobus të një kompanie turistike me destinacion Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Gjatë kontrollit të çantës së tij janë gjetur 2 kilogramë e 162 gramë marihuanë, një sasi tjetër prej 2.13 gramësh dhe një peshore elektrike. Sipas Prokurorisë, droga ishte siguruar në Shqipëri dhe dyshohet se ishte destinuar për shpërndarje dhe shitje në Ferizaj.

I pandehuri ndodhet në paraburgim, ndërsa Prokurori i çështjes ka kërkuar që pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, ai të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

“Sipas aktakuzës, substancat narkotike ishin destinuar të importoheshin në Republikën e Kosovës, konkretisht në qytetin e Ferizajt, me qëllim të shpërndarjes dhe ofrimit për shitje. Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, i pandehuri të shpalle fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, u tha përmes njoftimit për media.