Inteligjenca artificiale premton diagnozë më të shpejtë të endometriozës

Një mjet i ri i bazuar në inteligjencën artificiale mund të ndihmojë në identifikimin më të shpejtë të endometriozës përmes analizimit të imazheve mjekësore.

Studiuesit nga Universiteti i “Adelaide” në Australi raportojnë se sistemi, i quajtur “EndoFusion”, arriti saktësi prej 83 për qind në dallimin e rasteve me dhe pa endometriozë.

Mjeti është zhvilluar në kuadër të studimit “IMAGENDO” dhe është testuar duke përdorur të dhëna nga katër databaza, të cilat përfshijnë më shumë se 9 mijë skanime MRI të pelvisit dhe mbi 800 skanime transvaginale me ultratinguj.

Sipas studiuesve, “EndoFusion” mund të identifikojë dy tregues të rëndësishëm që lidhen me endometriozën e avancuar, duke kombinuar informacionin e marrë nga MRI dhe ultrazëri.

Një nga sfidat aktuale në diagnostikimin e endometriozës është se metodat e ndryshme të imazherisë kanë përparësi në identifikimin e shenjave të caktuara të sëmundjes. Për më tepër, rezultatet e disa ekzaminimeve mund të varen nga përvoja e personelit që i kryen ato.

Associate Professor Jodie Avery, bashkëudhëheqëse e kërkimit në Grupin e Kërkimeve për Endometriozën në Robinson Research Institute të Universitetit të Adelaide, tha se kombinimi i të dhënave nga të dyja metodat mund të ndihmojë në tejkalimin e disa prej këtyre kufizimeve.

Ndërkaq, autori kryesor i studimit, Dr. Yuan Zhang, tha se modeli ishte në gjendje të jepte diagnozën e saktë në 83 për qind të rasteve, rezultat që sipas tij ishte më i lartë se modelet e tjera të krahasuara në studim.

Endometrioza është një sëmundje kronike që prek më shumë se 190 milionë gra në mbarë botën. Ajo shfaqet kur indi i ngjashëm me shtresën e brendshme të mitrës rritet jashtë mitrës dhe mund të shkaktojë dhimbje në abdomen, menstruacione të rënda, fryrje, lodhje dhe probleme me fertilitetin.

Diagnostikimi i saj mund të jetë i vështirë dhe në shumë raste kërkon kohë të gjatë. Aktualisht, identifikimi i lezioneve përmes ndërhyrjeve kirurgjikale ka qenë një nga mënyrat për konfirmimin e sëmundjes.

Studiuesit theksojnë se “EndoFusion” është ende në fazat e hershme të zhvillimit dhe nevojiten të dhëna të tjera për të vlerësuar më tej saktësinë e tij.

Hapi i ardhshëm i kërkimit do të jetë zgjerimi i bazës së të dhënave me tregues të tjerë të endometriozës, me synimin për të përmirësuar klasifikimin e rasteve.