Spektakël në “Bill Clinton”, Kastrioti e fiton Superkupën

Ndeshja për Superkupë mes Kastriotit dhe Besa Famgasit ishte spektakël i vërtetë.

Të dielën mbrëma në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, në praninë e mbi 2000 shikuesve, Kastrioti fitoi me rezultat 27:26.

Spektakli i hendbollit nuk ka mundur se si të përfundojë pos me gol të çasteve të fundit.

Ishte Jeton Bislimi që shënoi për fitoren e Kastriotit, pak para fundit të ndeshjes.

Kastrioti për herë të parë ka fituar Superkupën e Kosovës në hendboll. Është edhe kampion në fuqi dhe fitues në fuqi i Kupës.

Besa Famgas ishte në epërsi shumicën e kohës në pjesën e parë. U shkëput deri në katër gola. Por pas 30 minutave rezultati ishte 14:14.

Skuadra pejane u shkëput edhe 20:15 në minutat e parë të pjesës së dytë. Por vendasit, të përkrahur nga shikuesit, nuk u dorëzuan. U afruan gradualisht në rezultat dhe barazuan në minutën e 60-të me golin e Patryk Greguloëskit. Besa nuk realizoi sulmin e fundit, ndërsa në anën tjetër Bislimi realizoi për fitore.

Greguloëski ishte më efikasi me gjashtë gola. Pesë i shënoi Bislimi.

Te Besa Famgas tetë gola i shënoi Deniz Terqizi, kurse nga katër i realizuan Ilir Istrefaj, Jon Muqolli dhe Yassine Henahen.

Medaljet për lojtarët e Kastriotit i ndanë presidenti i FHK-së, Edin Kolgeci dhe nënpresidenti Xhavit Morina.

Trofeun e Superkupës për kapitenin e Kastriotit, Beni Sula, e ndau presidenti i FHK-së, Edin Kolgeci.