Aleksandër Vuçiq jep dorëheqje nga posti i presidentit të Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit të vendit.

Vuçiq e bëri të ditur vendimin të dielën mbrëma, gjatë një adresimi para qytetarëve të Serbisë, duke deklaruar se ky është momenti për një kapitull të ri për vendin, raporton B92.

“Ka ardhur koha e vendimit”, tha Vuçiq, duke iu referuar viteve të tij në krye të shtetit.

Ai tha se mandati i presidentit të republikës duhet të meritohet përmes zgjedhjeve të drejtpërdrejta, në mënyrë demokratike dhe pa marrëveshje apo kalkulime politike.

Vuçiq falënderoi qytetarët serbë për besimin që, sipas tij, i kishin dhënë në dy raste, duke theksuar se posti i presidentit ishte përgjegjësia më e lartë që mund të marrë një person.

Në fjalimin e tij, ai foli edhe për rezultatet ekonomike gjatë periudhës së qeverisjes së tij, duke përmendur hapjen e më shumë se 300 fabrikave dhe rritjen e numrit të të punësuarve.

Vuçiq tha gjithashtu se Serbia duhet të vazhdojë të ruajë paqen dhe stabilitetin, ndërsa theksoi rëndësinë e mbrojtjes së interesave kombëtare.

Duke folur për Kosovën, ai tha se Serbia duhet të vazhdojë të kujdeset për serbët në Kosovë dhe të mos heqë dorë nga interesat e saj në këtë çështje.

Ai theksoi gjithashtu nevojën që Serbia të përshpejtojë zhvillimin ekonomik, veçanërisht në fushën e inovacionit, inteligjencës artificiale dhe robotikës.

Gjatë adresimit para qytetarëve, Vuçiq nënshkroi zyrtarisht dorëheqjen nga posti i presidentit të Serbisë.

Në dokumentin e dorëheqjes, ai iu referua nenit 116, paragrafi 5, të Kushtetutës së Serbisë. Vuçiq deklaroi se dorëheqjen do t’ia dorëzojë Kuvendit të Serbisë, ndërsa të hënën do t’ia dorëzojë detyrën kryetares së Kuvendit, Ana Brnabiq./rtk