Vetëm marrëveshja mund të hapë Ngushticën e Hormuzit

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka refuzuar propozimin e Iranit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për transportin tregtar, ndërsa Teherani thotë se vetëm një zgjidhje e negociuar mund t’i japë fund konfliktit mes dy vendeve.

Ngushtica, përmes së cilës zakonisht kalon rreth një e pesta e furnizimit botëror me naftë dhe gaz, është praktikisht e mbyllur që nga fillimi i luftës në shkurt.

Trump tha se propozimi iranian nuk është i pranueshëm, ndërsa ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se Teherani po pret një përgjigje zyrtare dhe përfundimtare nga Shtetet e Bashkuara.

Araghchi tha se kushtet për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit janë ato të përcaktuara në memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar nga SHBA-ja dhe Irani në qershor.

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, tha se bisedimet mund të rifillojnë, por theksoi se duhet të kapërcehet mosbesimi i krijuar nga lufta. Ai akuzoi SHBA-në për shkelje të marrëveshjes pas rifillimit të sulmeve dhe kërkoi garanci se Uashingtoni nuk synon rrëzimin e qeverisë iraniane.

Omani, i cili po ndërmjetëson mes dy vendeve, u bëri thirrje palëve të vazhdojnë dialogun për të garantuar lundrimin në këtë rrugë strategjike detare.

Ndërkohë, administrata Trump thotë se presioni ekonomik dhe sanksionet ndaj Iranit po japin rezultate, ndërsa ekonomistë vënë në pikëpyetje efektivitetin e tyre, veçanërisht për shkak të vazhdimit të tregtisë së Iranit me Kinën./rtk