Infeksionet e rralla gjatë shtatzënisë lidhen me rrezik më të lartë të autizmit te fëmijët

Infeksionet e rralla që mund të transmetohen nga nëna te fetusi gjatë shtatzënisë, lidhen me një rrezik më të lartë për autizëm dhe aftësi të kufizuara intelektuale te fëmijët, sipas një studimi të ri të studiuesve të Institutit Karolinska në Suedi, të publikuar në revistën shkencore “JAMA Pediatrics”.

Studimi analizoi të dhënat e rreth 3,7milionë personave të lindur në Suedi midis viteve 1987 dhe 2021, nga të cilët 975 kishin një infeksion kongjenital TORCH, dhe pjesëmarrësit u ndoqën për një periudhë deri në tre dekada.

TORCH është një grup infeksionesh që në raste të rralla mund të kalojnë nga gruaja shtatzënë te fetusi.

Në këtë grup përfshihen, ndër të tjera, citomegalovirusi (CMV), rubeola, toksoplazmoza dhe viruset herpes.

Këto infeksione mund të kalojnë placentën dhe të infektojnë drejtpërdrejt fetusin.

Sipas rezultateve, fëmijët e lindur me një infeksion kongjenital TORCH kishin rreth tre herë më shumë gjasa të diagnostikoheshin më vonë me autizëm, krahasuar me fëmijët që nuk kishin pasur këtë infeksion.

Rreziku për diagnostikimin e një aftësie të kufizuar intelektuale, ishte më shumë se shtatë herë më i lartë, ndërsa për format e rënda deri shumë të rënda të kësaj gjendjeje rreziku, ishte deri në 30 herë më i lartë.

Studiuesit theksojnë se, pavarësisht rritjes së madhe të rrezikut relativ, ndikimi i këtyre infeksioneve në numrin e përgjithshëm të rasteve të autizmit është i kufizuar, pasi infeksionet kongjenitale TORCH janë të rralla.

Sipas vlerësimit të tyre, këto infeksione mund të shpjegojnë rreth 0,034% të rasteve të autizmit në Suedi dhe rreth 1,2% të rasteve të aftësisë së kufizuar intelektuale të rëndë.

Studiuesit vlerësojnë gjithashtu se rreth një në pesë fëmijë të lindur me një infeksion TORCH mund të zhvillojë më vonë autizëm.

Për të shqyrtuar nëse lidhjet e vërejtura mund të shpjegoheshin nga faktorë të përbashkët familjarë, studiuesit krahasuan edhe fëmijët me infeksion TORCH me vëllezërit dhe motrat e tyre që nuk kishin pasur infeksionin.

Rezultatet e ngjashme në këtë analizë mbështetën lidhjen e vërejtur.

Studimi nuk gjeti lidhje të qarta midis infeksioneve TORCH dhe disa çrregullimeve të tjera neuropsikiatrike, si ADHD-ja apo çrregullimi obsesiv-kompulsiv.

Megjithatë, u vu re një ndikim në rezultatet shkollore, edhe fëmijët pa diagnozë autizmi ose aftësie të kufizuar intelektuale kishin, mesatarisht, rezultate më të ulëta në shkollë krahasuar me bashkëmoshatarët pa infeksion.

Studiuesit theksojnë se rezultatet tregojnë një lidhje statistikore dhe nuk nënkuptojnë se infeksioni TORCH shkakton në mënyrë të drejtpërdrejtë autizmin në çdo rast.

Ata vënë në dukje gjithashtu se disa prej këtyre infeksioneve mund të parandalohen, duke theksuar rëndësinë e masave parandaluese dhe vaksinimit, veçanërisht kundër rubeolës.

Studimi, me titull “Infeksionet kongjenitale TORCH dhe pasojat në zhvillimin neurologjik: Kërkim i bazuar në popullatë dhe në vëllezër e motra”, u publikua më 21 shtator 2026 në “JAMA Pediatrics”

Kërkimi u financua nga Këshilli Suedez i Kërkimeve. /atsh