Rama për Vlora Hysenin e SHISH-it: Përgjegjësi është individuale

Kryeministri Edi Rama, duke folur për hetimin ndaj ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni, deklaroi se përgjegjësia përballë drejtësisë është individuale dhe se çështja e saj duhet të trajtohet si një përballje personale me organet e drejtësisë.

Rama theksoi se pavarësia e drejtësisë nuk mund të nënkuptojë papërgjegjshmëri ndaj ligjit apo shkelje të të drejtave të njeriut.

“Prokuroria ka detyrën të hetojë, gjykata të gjykojë dhe media të zbulojë, të informojë e të kërkojë llogari, por askush nuk ka të drejtë ta shpallë tjetrin fajtor përpara gjykimit dhe jo më pas ta dehumanizojë botërisht. Kur një zyrtar i lartë i ka hapur vetes një llogari me drejtësinë, është një çështje individuale me drejtësinë. Nuk kam çfarë të shtoj tjetër rreth kësaj teme në vetvete”, deklaroi ai.

Rama u ndal më pas te interpretimi politik i zhvillimeve të fundit dhe akuzat për korrupsion ndaj qeverisë.

Ai tha se fakti që institucionet e drejtësisë hetojnë persona që mbajnë poste të larta nuk mund të merret si provë se korrupsioni është përhapur në qeveri apo se ai është shtuar.

“Mbi kuptimin politik të këtij zhvillimi, u ngrit një aktakuzë kundër qeverisë, me referencën ‘na mbyti korrupsioni’. Të dashur zgjedhës, pavarësisht bindjeve dhe kahjes së votës, fakti që drejtësia prek edhe njerëz me funksione të larta nuk provon kurrsesi se na mbyti korrupsioni apo se ai po shtohet. Përkundrazi, fakti që hetimet e pavarura prekin individë të veshur me pushtet nuk provon se shumica qeverisëse është e korruptuar. Përkundrazi, ne jemi të angazhuar deri në fund për reformat dhe masat antikorrupsion, si dhe për mbështetjen e organeve të pavarura të drejtësisë”, tha Rama.

Rama deklaroi gjithashtu se qeveria mbetet e angazhuar ndaj reformave dhe masave kundër korrupsionit, duke e lidhur këtë angazhim me mbështetjen për organet e pavarura të drejtësisë./rtsh