“Dosja 23”: 9 të prangosurit në veri ndalohen për 48 orë, këta janë të dyshuarit

Nëntë personat e arrestuar sot në Zubin Potok, nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile, janë ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit janë D.D., M.R., M.R., R.R., S.D., S.D., V.L., R.R. dhe D.D.

Hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me njësi të tjera të Policisë së Kosovës, kanë zhvilluar bastisje në disa lokacione në komunën e Zubin Potokut.

Gjatë aksionit janë sekuestruar nëntë telefona mobilë, dy libreza ushtarake, një armë e gjatë, një pushkë gjuetie, municion, katër predha, rreth 23 mijë euro dhe rreth 60 mijë dinarë serbë.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Policia e Kosovës, riafirmojnë përkushtimin dhe angazhimin në ndjekjen penale dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës”, thotë PSRK.