Kapiteni i Austrisë para duelit me Kosovën: Është një kundërshtar shumë i mirë
Xaver Schlager pritet ta udhëheqë Austrinë me shiritin e kapitenit në sfidën e së dielës ndaj Kosovës në Ligën e Kombeve. Mesfushori i Nottingham Forest do ta mbajë për herë të parë shiritin e kapitenit të kombëtares, ndërsa sfida do të zhvillohet një ditë para ditëlindjes së tij të 29-të.
Mesfushori austriak theksoi se për të, parimi i meritës sportive duhet të jetë mbi gjithçka tjetër.
“Çdo lojtar duhet të tregojë nivelin e tij. Ku luan dikush është dytësore”, deklaroi Schlager, duke iu referuar edhe faktit se ai tashmë aktivizohet në Ligen Premier.
Schlager numëron 56 paraqitje me fanellën e Austrisë dhe prej vitesh është një nga lojtarët kryesorë të përfaqësueses.
“Sigurisht që kam përjetuar shumë gjëra dhe mund t’i ndihmoj lojtarët më të rinj. Por, në fund të fundit, ky është sport elitar dhe secili prej nesh duhet të marrë përgjegjësinë dhe të jetë shembull”, u shpreh 28-vjeçari.
Sipas tij, konkurrenca e shëndetshme brenda skuadrës është një faktor që ndihmon në përmirësimin e ekipit.
Kombëtarja austriake po kalon një periudhë ndryshimesh pas tërheqjes së Marko Arnautovic dhe mungesave të David Alabas e Marcel Sabitzer.
Në ndeshjen hapëse të Ligës së Kombeve, Austria mposhti Izraelin 3-1, rezultat të cilin Schlager e cilësoi si një paraqitje “korrekte”.
“Kishim rrethana jo të lehta. Kemi shumë fytyra të reja dhe për shumë lojtarë mënyra jonë e të luajturit është diçka e re”, tha ai.
Schlager theksoi se fitorja ndaj Izraelit ishte e rëndësishme për moralin dhe vetëbesimin e ekipit.
“Gjëja më e rëndësishme është të sjellim stabilitet në paraqitjet tona dhe të përmirësohemi hap pas hapi. Sa më shumë të punojmë së bashku, aq më shumë krijohen automatizmat”, shtoi ai.
Ndeshja ndaj Kosovës do të jetë sfida e dytë për Austrinë në këtë edicion të Ligës së Kombeve. Në krye të Kosovës është Franco Foda, trajneri nën drejtimin e të cilit Schlager debutoi me kombëtaren austriake në vitin 2018.