Protesta gjithandej Evropës, shqiptarët në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së

Të dielën, më 27 shtator, shqiptarë nga diaspora pritet të mblidhen në disa qytete të Evropës në kuadër të protestave në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kundër vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Protestat organizohen nën moton “Jo në emrin tim”, ndërsa thirrjet për pjesëmarrje janë bërë për shqiptarët në diasporë, me qëllim kundërshtimin e vendimit të gjykatës dhe shprehjen e mbështetjes për ish-krerët e UÇK-së.

Tubimet janë paralajmëruar në disa qytete evropiane, përfshirë Londrën, Oslon, Grazin, Gjenevën, Trevison, Karlsruhen, Lindau dhe Shkupin.

Në Londër, protesta është planifikuar nga ora 15:00 deri në 18:00, në Richmond Terrace, ndërsa në Oslo tubimi pritet të mbahet nga ora 13:00 deri në 14:00 në Eidsvolls Plass.

Në Graz, protesta është paralajmëruar në Hauptplatz në orën 12:00. Në Gjenevë, tubimi do të zhvillohet në Place des Nations duke filluar nga ora 14:00.

Protesta janë planifikuar edhe në Treviso, në Piazza delle Istituzioni, nga ora 14:30 deri në 18:00, si dhe në Karlsruhe, në Marktplatz, nga ora 15:00.

Në Lindau, tubimi është paralajmëruar në Altes Rathaus, në Bismarckplatz, duke filluar nga ora 15:00.

Një protestë do të mbahet edhe në Shkup, në sheshin “Skënderbeu”, nga ora 14:00.

Në Nurnberg, organizatorët kanë paralajmëruar protestë në orën 14:00, me nisje nga Kornmarkt.

Protesta të tjera janë paralajmëruar edhe në ditët në vijim, përfshirë një tubim nga “Liria ka Emër” në Prishtinë më 1 tetor.