Infeksionet TORCH gjatë shtatzënisë lidhen me rrezik më të lartë për autizëm dhe paaftësi intelektuale
Fëmijët e lindur me infeksione të caktuara të transmetuara gjatë shtatzënisë mund të kenë rrezik dukshëm më të lartë për autizëm dhe paaftësi intelektuale më vonë gjatë jetës, sipas një studimi të ri.
Hulumtimi, i kryer në Suedi, përfshiu 3.7 milionë persona të lindur midis viteve 1987 dhe 2021. Nga këta, 975 ishin diagnostikuar me infeksione kongjenitale të grupit TORCH, i cili përfshin sifilizin, rubeolën, toksoplazmozën, citomegalovirusin (CMV) dhe herpesviruset.
Studiuesit zbuluan se fëmijët me një infeksion të tillë kishin rreth tre herë më shumë gjasa për t’u diagnostikuar me autizëm dhe më shumë se shtatë herë më shumë gjasa për paaftësi intelektuale, krahasuar me fëmijët pa këto infeksione. Për paaftësinë intelektuale të rëndë deri në shumë të rëndë, rreziku ishte deri në 30 herë më i lartë, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Sipas autorëve, disa nga këto infeksione mund të kalojnë placentën dhe të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e fetusit.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se infeksionet TORCH janë të rralla dhe përbëjnë vetëm një pjesë shumë të vogël të rasteve të autizmit në popullatë.
Citomegalovirusi kongjenital është infeksioni më i përhapur i këtij grupi, duke prekur rreth një në 150 të porsalindur në nivel global, me barrë më të madhe në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Autorët kërkojnë forcimin e masave parandaluese, përfshirë vaksinimin kur është i disponueshëm, si dhe përmirësimin e identifikimit të rasteve.
Ata theksojnë se rastet pa simptoma mund të mos zbulohen nga sistemet aktuale të depistimit të të porsalindurve.