Goditjet në tru te të rinjtë janë pothuajse dyfishuar në tri dekada

Goditjet në tru po shfaqen më shpesh te të rriturit më të rinj, sipas një studimi të ri që analizoi rastet te personat e moshës 20 deri në 54 vjeç gjatë afro tri dekadave.

Studiuesit nga Universiteti i Cincinnati analizuan 2,076 raste të goditjes së parë në tru në rajonin Greater Cincinnati dhe Kentucky Veriore, duke krahasuar periudhën 1993–1994 me vitin 2020.Incidenca e goditjeve në këtë grupmoshë u rrit nga rreth 34 raste për 100 mijë persona në vit në fillim të periudhës në rreth 62 raste për 100 mijë persona në vit në vitin 2020. Rritja u drejtua kryesisht nga goditjet ishemike, të cilat ndodhin kur një enë gjaku që furnizon trurin bllokohet, shkruan Neurology, transmeton Gazeta Shneta.

Gjatë së njëjtës periudhë, studiuesit vunë re rritje të disa faktorëve të rrezikut te të rinjtë që pësuan goditje, përfshirë hipertensionin, diabetin, fibrilacionin atrial dhe përdorimin e substancave.

Në të njëjtën kohë, vdekshmëria brenda 30 ditëve pas goditjes te të rinjtë ra gjatë periudhës së studimit. Studiuesit theksojnë se kjo mund të nënkuptojë se më shumë persona po mbijetojnë pas goditjes, por mund të jetojnë me pasoja afatgjata.