AUV-i tërheq nga tregu “Flips Ketchup”, rrezik për konsumatorët

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se ka tërhequr “Flips Ketchup” të kompanisë “Pestova”.

Kjo është bërë lidhur me mosdeklarimin e pranisë së alergjenit qumësht në produktin ushqimor.

“Gjatë kontrollit zyrtar në Slloveni është marrë mostër e këtij produkti, ku përmes analizave laboratorike është konstatuar prania e gjurmëve të qumështit. Sipas vlerësimit të riskut të bërë në kuadër të njoftimit RASFF, produkti është vlerësuar si i pasigurt për konsumatorët e ndjeshëm ndaj alergjenit qumësht. AUV menjëherë ka nisur gjurmueshmerinë për prodhimin dhe tregtimin e produktit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, AUV-i ka njoftuar se kanë realizuar menjëherë kontrolli zyrtar te operatori PESTOVA SHPK, me qëllim të verifikimit të rastit, konstatimit të gjendjes dhe ndërmarrjes së masave përkatëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Gjatë kontrollit është konstatuar se produkti “Flips Ketchup”, Lot FK 04/26, ishte i pranishëm në stok. I njëjti sipas dokumentacionit ishte prodhuar në sasi prej 20,406 pakosh dhe ishte eksportuar në disa vende.

AUV ka urdhëruar operatorin ekonomik tërheqjen e menjëhershme nga tregu të produktit me Lot FK 04/26. Po ashtu ka ndaluar shitjen apo distribuimin e sasisë në depo. Është vendosur masë kufizuese për prodhimi dhe vendosja në treg të produktit të ri, deri në kryerjen e analizave laboratorike për praninë e alergjenëve të qumështit dhe/ose korrigjimin e deklaracionit”, thuhet ndër tjera. /Zëri