Haxhiu përkujton masakrën e Abrisë së Epërme: Kosova nuk do të reshtë së kërkuari drejtësi

U.d. Presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 28-vjetorin e masakrës së Abrisë së Epërme, duke nderuar 23 martirët e familjes Deliu dhe dëshmorët Vesel Demaku, Valdet Xhemajli e Afrim Hajdaraj.

Haxhiu ka kujtuar se më 26 shtator 1998, familja Deliu ishte strehuar në mal për t’i shpëtuar sulmeve dhe granatimeve, por ishte gjetur dhe vrarë nga forcat serbe.

Sipas saj, në mesin e viktimave kishte fëmijë, gra shtatzëna dhe të moshuar. Ajo ka veçuar rastin e Dituri Deliut, e cila ishte vetëm gjashtëjavëshe dhe u gjet e gjallë nën trupin e nënës së saj, ndërsa 22 anëtarë të familjes ishin vrarë. Foshnja më pas ndërroi jetë më 19 nëntor 1998.

Haxhiu ka përmendur edhe Vesel Demakun, Valdet Xhemajlin dhe Afrim Hajdarajn, të cilët, sipas saj, po luftonin për të penguar depërtimin e forcave serbe te civilët e strehuar në malet përreth Abrisë. Ajo ka theksuar se Demaku ishte mësues, ndërsa Xhemajli një nga veprimtarët e hershëm të UÇK-së në Abri.

“Pas disa orësh luftimesh, Veseli, Valdeti dhe Afrimi ranë në mbrojtje të civilëve të pafajshëm”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka ngritur shqetësimin se, 28 vjet pas ngjarjes, për masakrën e familjes Deliu ende nuk është dënuar askush.

“Krimi është dokumentuar, dëshmitarët kanë folur dhe dihet se cilat forca serbe vepruan në Abri”, ka deklaruar Haxhiu.

U.d. Presidentja ka thënë se Kosova do të vazhdojë të kërkojë drejtësi dhe se institucionet duhet t’i ndjekin këto krime, pavarësisht kohës së kaluar dhe vendndodhjes së kryerësve.

“Lavdi dëshmorëve Vesel Demaku, Valdet Xhemajli dhe Afrim Hajdaraj! I përjetshëm qoftë kujtimi për martirët e familjes Deliu!”, ka përfunduar Haxhiu.