Berisha: Rama është armik i egër i Kosovës, në OKB nuk shqiptoi një fjalë për UÇK-në

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një bashkëbisedim me ndjekësit e tij në mediat sociale ka folur lidhur me fjalimin e kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Berisha e ka cilësuar fjalimin e Ramës si fjalën më të turpshme të mbajtur ndonjëherë nga një përfaqësues i Shqipërisë.

Sipas Berishës, Rama në vend që të mbronte interesat kombëtare, ia kushtoi fjalën e tij frikës nga algoritmet dhe skandalet e brendshme. Ai shtoi se Rama nuk shqiptoi asnjë fjalë për Kosovë apo për liderët e UÇK-së.

Në fjalën e tij, Berisha bëri një paralelizëm mes qëndrimit të Ramës dhe kryeministrit kroat, i cili sipas tij denoncoi hapur në OKB veprimet destabilizuese të Beogradit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës si Ratko Mlladiq, raporton euronews.al.

Fjala e plotë e Berishës:

“Fjala e Padrinos në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ishte fjala më e turpshme që është mbajtur ndonjëherë pas fjalimeve të ministrave të jashtëm të Shqipërisë apo atyre të Koresë së Veriut.

Nuk kemi pasur kurrë një përfaqësim kaq të turpshëm, ku kreu i narkoshtetit shqiptar, i fandaksur, i tmerruar nga protesta rinore, qytetare dhe skandalet e njëpasnjëshme, i kushtoi fjalën e tij algoritmit dhe tmerrit që ndjen nga algoritmi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Në këtë fjalim, në atë sallë e cila jo rastësisht, por në një akt përçmimi madhor ishte bosh gjatë fjalës së tij, Edi Rama nuk shqiptoi një herë të vetme fjalën Kosovë dhe fjalën UÇK apo lider të UÇK-së.

Tradhtia i ka zënë grykën. E ka mbërthyer për gryke dhe nuk e lejon më të shqiptojë një fjalë. Histori e turpshme. Në atë sallë, në një fjalim të shkëlqyer, kryeministri i vendit mik, Kroacisë, foli sikur të ishte kryeministri i Shqipërisë. Ai denoncoi veprimet e Beogradit, nderimet ushtarake që i bëhen monstrave të gjenocidit të Bosnjës, Ratko Mlladiç, përpjekjet destabilizuese të Beogradit në Kosovë dhe për probleme të tjera të rajonit.

Kurse për Edi Ramën, universi i tij ishte algoritmi, që në fakt i ka kallur tmerrin dhe datën në çdo qelizë të tij. Por, me këtë rast, i ftoj edhe ata pak qytetarë të Kosovës që për jugosllavizmin e tyre, apo për të mbetur si relike, apo për enverizmin e tyre, vazhdojnë dhe bëjnë të mashtruarin nga Edi Rama.

Të gjithë ata që duan Kosovën, panë dhe kanë parë me dokumente, fakte të pakundërshtueshme se Edi Rama është një armik i egër i Kosovës, i demokracisë.

Miq, pas përpjekjeve për të rrëzuar qeverinë e Kosovës me Vlora Hysenin dhe të dërguarit e tij, ai po përhap tani në Shqipëri shpifjet më të ulëta me të cilat kërkon të paraqesë Lëvizjen Vetëvendosje si një parti kundra Shqipërisë.

Unë u them këtyre puthadorëve të Edi Ramës, që paguhen si shërbëtorë të tij dhe kalojnë nga një studio në një studio tjetër me një mashtrim të paskrupullt, në Kosovë e vërteta është se nuk ka asnjë parti anti-Shqipëri.

Por ka një kryeministër në Shqipëri anti-shqiptar. Ka një kryeministër në Shqipëri, o çakej dhe puthadorë që ka ndërtuar në vendin amë, në Shqipëri, shtetin e drogës dhe ju paguan ju. Si mund ta akuzoni një parti sot në qeverinë e Kosovës se qenka kundra Shqipërisë?

Nuk ka asnjë parti në Kosovë kundra Shqipërisë, por natyrisht çdo shqiptar i ndershëm në Kosovë dhe kudo në botë është kundër narkoshtetit të Edi Ramës, dhe ju përdorni Shqipërinë si mburojë për narkoshtetin e Edi Ramës.

Turpi ju mbuloftë! Nuk ka asnjë parti anti-Shqipëri në Kosovë, por ka një shqiptar që sillet si Pashiçi i Serbisë ndaj Kosovës, një shqiptar që quhet Edi Rama, argati i Vuçiçit.

Ju që dilni në studio o të pafytyrë dhe etiketoni anti-shqiptare partitë e Kosovës, harroni ju sanksionet që vuri kundër Kosovës i pari në Evropë?

Harroni ju xhiron ballkanike që bëri për të izoluar kryeministrin e Kosovës, ndërkohë që të tjerët i tregonin bërrylin, për kërkesën e tij, fqinjët e tjerë?

Harroni ju se si dorëzoi projektin e copëtimit të Kosovës? Harroni ju se si dorëzoi projektin e marrë në Beograd për Asociacionin?

Se si kërkoi konferencën ndërkombëtare për Kosovën në mënyrë që rusët të uleshin në tavolinë?

Si i lejoni vetes një gjë të tillë? Ju me të njëjtin zell, të njëjtin shërbim i shërbeni Vuçiçit. Ju jeni po kaq anti-shqiptarë sa Edi Rama, i cili s’guxon të përmendë fjalën Kosovë në OKB.

I cili nuk tha një fjalë të vetme për dënimin e tërë asaj udhëheqjes politike të Kosovës. Nuk shqiptoi një fjalë të vetme. Nuk ekzistonte për Edi Ramën ky problem.

Ky apatrid gjeti të bëhej patriot në një darkë ku sulmoi për tradhti Shtetet e Bashkuara dhe presidentin Joe Biden.

Joe Biden sot nuk është president, por u them shqiptarëve që në të gjithë karrierën e tij politike ai, qëndrimin dhe votën e ka patur për shqiptarët. Dhe del një zuzar dhe thotë se tradhtoi Joe Biden, meqenëse ai tani nuk është më në funksione.

Tradhtoi Amerika, Hashim Thaçin. Si mund të shqiptohet një fjalë e tillë? Me çfarë e tradhtoi Amerika Hashim Thaçin, a thoni pak njëherë?

Se çliroi Kosovën në bashkëpunim me UÇK-në? Pra, praktikisht, ky Padrino i degraduar sot nuk ka asnjë interes tjetër vetëm karrigen e tij sepse e di që po i vjen fundi, fundi dhe fund i tmerrshëm.

Pse i tmerrshëm do thoni ju? Sepse ka firmosur në qindra vendime anti-ligjore.

Sepse është de facto drejtues i karteleve më të fuqishme të drogës në Evropë dhe ndër më të fuqishmet në botë. Sepse ka vjedhur miliarda në tendera, prokurime dhe pasuri publike.

Nuk ka sot Evropa një të dytë të inkriminuar si Edi Ramën. Ndaj dhe ai, jeni të përgatitur të dëgjoni çdo gjë gjersa të përfundojë në sallën e gjyqit”, tha ai. /euronews