Bangkoku shpallet zonë e prekur nga fatkeqësia pas reshjeve të dendura

Kryeqyteti i Tajlandës, Bangkoku, është përfshirë nga përmbytje të mëdha pas disa ditësh me reshje pothuajse të pandërprera.

Guvernatori i kryeqytetit tajlandez, Chadchart Sittipunt, ka shpallur qytetin zonë të prekur nga fatkeqësia, raporton BBC.

Gjatë kësaj periudhe në Bangkok kanë rënë rreth 300 milimetra shi, ndërsa reshje të tjera priten edhe në ditët në vijim.

Pamjet e publikuara nga kryeqyteti tajlandez tregojnë rrugë të mbuluara plotësisht nga uji, teksa automjetet përpiqen të lëvizin nëpër zonat e përmbytura.

Autoritetet kanë paralajmëruar se situata mund të vijojë të jetë problematike për shkak të reshjeve të pritshme dhe përhapjes së ujërave në zona të ndryshme të qytetit.