Nura lirohet pas ndalimit në kufi, merr pjesë në konferencën në Bujanoc

Kryetari i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare, Omer Nura, është liruar pasi ishte ndaluar nga Policia serbe në pikën kufitare Dheu i Bardhë.

Nura ishte ndaluar derisa po udhëtonte drejt Bujanocit, ku ishte nisur për të marrë pjesë në konferencën ekonomike “Ekonomia shpëton Luginën”.

Pas lirimit, Nura ka arritur në Bujanoc dhe i është bashkuar konferencës, e cila po mbahet me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bizneseve shqiptare nga Lugina e Preshevës, Kosova, Shqipëria dhe diaspora.

Ndalimi i tij ishte konfirmuar më herët për rtk-në nga Xhelal Mehmeti, kryetar i Unionit të Afaristëve të Luginës së Preshevës.