Tahiri: As Kurti as Rama s’patën takime me qeverinë amerikane, alarm për kombin

Ish-kryenegociatorja Edita Tahiri ka komentuar vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama, në Nju Jork të SHBA’së ku u mbajt Asambleja e Përgjithshme e OKB’së.

Tahiri tha se as njëri e as tjetri nuk patën takime me qeverinë amerikane, duke thënë se kjo flet për brishtësinë e gjendjes brenda dy shteteve dhe se kjo përfaqësohet më pas edhe në diplomaci.

“Ishin në Amerikë, por nuk patën takime me qeverinë amerikane – as Kurtin, as Edi Ramën nuk i takuan qeveritarët amerikanë. Ky është një alarm për kombin dhe dy shtetet tona. Arsyet dihen: Kosova në kriza politike tash dy vjet e që vazhdojnë, ndërsa Shqipëria në pellgun e korrupsioneve të pandalshme”.

Tahiri kritikoi Ramën edhe për fjalimin e tij në OKB, duke thënë se nuk përmendi ish-krerët e UÇK’së dhe dënimin në Hagë.

“Ai që pati mundësi të flasë në Asamblenë e Përgjithshme ishte Rama, sepse Shqipëria është anëtare e OKB-së, mirëpo fjalimi i tij u bojkotua nga të gjitha vendet anëtare të OKB-së. Duke mos pasur çfarë t’i thotë botës për Shqipërinë, Rama iu foli për rëndësinë e inteligjencës artificiale, ndërkohë që debati botëror hapur po shfaq shqetësimet se inteligjenca artificiale po e çon botën drejt apokalipsit. Rama nuk foli as për Kosovën, as për padrejtësinë ndaj liderëve të UÇK-së. Së paku e kishim ndier se pati Kosova një zë në OKB”.

“Sa më e brishtë gjendja në shtet aq ma e brishtë diplomacia – kjo u pa në të dyja rastet. Edhe Kosova, edhe Shqipëria janë në këtë gjendje, fatkeqësisht”, përfundoi Tahiri.