Nis Konferenca “Ekonomia shpëton Luginën”

Ka nisur në Bujanoc Konferenca “Ekonomia shpëton Luginën”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bizneseve shqiptare nga Lugina e Preshevës, Kosova, Shqipëria dhe diaspora.

Në konferencë po merr pjesë edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, së bashku me përfaqësues të bizneseve nga Kosova.

Hapjen e konferencës e bëri kryetari i Unionit të Afaristëve për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Xhelal Mehmeti.

Ai tha se konferenca nisi me vonesë për shkak të ndalimit në kufi të Omer Nurës, kryetar i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare.

“Ekonomia shpëton Luginën” është motoja e kësaj konference, ku në fokus janë bashkëpunimi ekonomik, investimet dhe forcimi i lidhjeve mes bizneseve shqiptare.

Gjatë konferencës po diskutohen mundësitë për zhvillimin ekonomik të Luginës dhe krijimin e partneriteteve të reja me bizneset nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora.

Bashkëpunimi ekonomik mes bizneseve shqiptare në Kosovë, Luginën e Preshevës dhe diasporë është në fokus të një konference që po mbahet sot në Bujanoc, e organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare, Unioni i Afaristëve të Luginës së Preshevës dhe Komuna e Bujanocit. /rtk