Ambasadori i ri amerikan arrin në Shqipëri, të shtunën dorëzon letrat kredenciale te presidenti Begaj

Mbërriti në Shqipëri mesditën e kësaj të premteje, 25 shtator, ish-gjenerali Eric Wendt i përzgjedhuri presidentit Donald Trump për të drejtuar diplomacinë amerikane, në vendin tonë.

Pas një qëndrimi prej rreth 20 minutash në terminalin VIP në Rinas, ambasadori i ri amerikan është shfaqur për herë të parë në vendin tonë, moment i fiksuar nga operatori i Top Channel, Elin Kadillari.

E më pas, makina me flamurin amerikan është nisur drejt Tiranës për një ndalesë të parë në selinë diplomatike në Rrugën e Elbasanit.

Gjatë dëgjesës në Senatin Amerikan, Eric Wendt paraqiti katër prioritete të cila do ta udhëheqin mandatin e tij:

1. Mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave amerikane, përfshirë mbështetjen e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërkombëtare.

2. Mbështetja e progresit të Shqipërisë për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të PBB-së deri në vitin 2035.

3. Promovimi i diplomacisë ekonomike dhe tregtare në dobi të qytetarëve.

4. Fokusi te njerëzit e ambasadës, duke përfshirë një linjë pune që e quajti “Faktorët njerëzorë”, e cila do të synojë përdorimin e mënyrave standarde dhe kreativitet.

Ish-gjenerali Eric Wendt e nis misionin e tij diplomatik në Shqipëri, pas një periudhe 3-vjeçare gjatë së cilës Washingtoni hasi vështirësi në Senat për të sjellë një ambasador, që nga mbarimi i mandatit të Yuri Kim në qershor 2023.

Në më pak se 24 orë nga mbërritja në Tiranë, paraditja e së shtunës do ta gjejë ambasadorin Eric Wendt në Pallatin e Brigadave për të dorëzuar letrat kredenciale.

Burime diplomatike se nuk do të jetë thjesht një ceremoni dorëzimi e kredencialeve, por parashikohet edhe një takim i gjatë, kokë më kokë, mes presidentit Bajram Begaj dhe ambasadorit Eric Wendt.

Të hënën parashikohet që ambasadori Eric Wendt do të ngjisë shkallët e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për të zhvilluar takimin e parë me ministrin Ferit Hoxha.

Ditën e premte, më 2 tetor, Ambasada Amerikane në Tiranë do të organizojë në një hotel në qendër të kryeqytetit ceremoninë e prezantimit të ambasadorit të ri.

Kjo pritje mbart një rëndësi të veçantë politike, pasi vëmendja do të përqendrohet tek lista e të ftuarve dhe, veçanërisht, prania apo mungesat nga të dy krahët e politikës. /tch