U ndanë çmimet për Agro-Gazetarinë 2026

U mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve për Agro-Gazetarinë 2026, në kuadër të së cilës u vlerësuan punimet më të mira gazetareske që trajtojnë bujqësinë, zhvillimin rural dhe sfidat me të cilat përballen fermerët në Kosovë.

Në fjalën hyrëse, Xhemajl Rexha, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, theksoi rëndësinë e gazetarisë profesionale dhe të raportimit të bazuar në fakte për çështjet që lidhen me bujqësinë dhe zhvillimin rural. Ai vuri në pah se gazetarët kanë një rol të rëndësishëm në sjelljen e këtyre temave më afër publikut, duke i dhënë zë fermerëve dhe komuniteteve rurale dhe duke nxitur një diskutim më të informuar për sfidat dhe mundësitë në këtë sektor.

Më pas, Sefedin Haxhia, menaxher për komunikim në Caritas-in Zviceran, tha se kur flasim për bujqësinë, flasim për shumë më tepër sesa vetëm për prodhimin bujqësor. Sipas tij, bujqësia lidhet drejtpërdrejt me ekonominë, jetesën në zonat rurale, mjedisin, cilësinë e ushqimit, tregjet dhe të ardhmen e komuniteteve në Kosovë. Ai theksoi se ideja fillestare e kësaj nisme ishte afrimi i medias me rëndësinë e këtyre temave dhe mbështetja e gazetarisë që trajton bujqësinë dhe zhvillimin rural.

Pjesë e jurisë vlerësuese ishin Gjylshahe Beqiraj Ibrahimi, Visar Krasniqi dhe Agon Sinanaj, të cilët vlerësuan aplikimet e paraqitura në kuadër të garës.

Vendi i parë iu nda Arjeta Shabanit për artikullin:

“Bujqësia Organike në Kosovë, mes potencialit dhe sfidave për certifikim”, publikuar në Reporteri.net.

Çmimi u nda nga Sefedin Haxhia nga Caritas-i Zviceran.

https://reporteri.net/lajme/bujqesia-organike-ne-kosove-mes-potencialit-dhe-sfidave-per-certifikim

Vendi i dytë iu nda Festim Gërgurit për storjen:

“Subvencioni për djersë, fitimi për bodrume”, publikuar në Betimi për Drejtësi.

Çmimi u nda nga Valmira Halimi, anëtare e bordit të AGK-së.

https://www.youtube.com/live/rI1ADPMZi70?si=E7iwB-BR5Dze5L90&utm

Vendi i tretë iu nda Donjeta Rexhbogajt dhe Bubulina Penit për artikullin:

“Gratë fermere nga komunitetet jo shumicë luftojnë për të mbijetuar”, publikuar në QIKA.

Çmimi u nda nga Visar Krasniqi, anëtar i jurisë vlerësuese.

https://qika.org/en/thelle-post/grate-fermere-nga-komunitetet-jo-shumice-luftojne-per-te-mbijetuar/

Ceremonia u organizua me qëllim të promovimit dhe vlerësimit të gazetarisë cilësore që sjell në vëmendje çështjet e bujqësisë dhe zërin e fermerëve në Kosovë.

EREA financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim dhe zbatohet nga Caritasi Zviceran.