Raphinha: Yamali duhet ta fitojë “Topin e Artë”, është magjik

Raphinha ka shprehur bindjen se çmimi i “Topit të Artë” duhet t’i takojë bashkëlojtarit të tij te Barcelona, Lamine Yamal.

Sulmuesi brazilian po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm përpara portës. Ai ka realizuar 12 gola në shtatë ndeshje të La Ligës dhe aktualisht kryeson listën e golashënuesve të kampionatit.

Megjithatë, Raphinha, i cili nuk është përfshirë në listën e kandidatëve për “Topin e Artë”, e ka bërë të qartë se për të favoriti kryesor është Yamali.

“Për mua, Lamine Yamal është kandidati numër një për ta fituar ‘Topin e Artë’. Ai është magjik në fushë, karizmatik dhe ka personalitet. Përveç golave, asistimeve dhe trofeve, është një lojtar spektakolar. Këtë e ka dëshmuar si te Barcelona, ashtu edhe me kombëtaren”, ka thënë Raphinha për “Gazzetta dello Sport”.

Braziliani ka vlerësuar edhe arritjet e 18-vjeçarit me klubin dhe kombëtaren spanjolle.

“Lamine është një prej lojtarëve më të rëndësishëm në të dyja skuadrat. Për mua nuk ka dyshime se kush duhet ta fitojë ‘Topin e Artë’ këtë vit. Ai ka trofe, titullin e La Ligës me Barcelonën dhe Botërorin me Spanjën. Ka një kualitet të jashtëzakonshëm”, u shpreh ylli i Barcelonës.

Raphinha ka ndarë edhe përshtypjet e tij për Carlo Ancelottin, me të cilin po punon te Kombëtarja e Brazilit.

“Ancelotti më ka befasuar shumë. E kisha takuar si kundërshtar në Spanjë dhe më kishte lënë përshtypje të mirë. Më dukej një njeri shumë i respektuar. Kur fillova të punoj me të në kombëtare dhe e njoha më mirë, kuptova se është një person i jashtëzakonshëm. Ka qenë një surprizë e mrekullueshme”, përfundoi Raphinha.