“Uta në Sharr” mbledh fëmijët e Prizrenit në Dokukino

Filmi i shkurtër i animuar “Uta në Sharr” është shfaqur mbrëmjen e kaluar në Dokukino, ku fëmijë nga shkolla, kopshte dhe institucione të tjera të Komunës së Prizrenit kanë ndjekur aventurën e Utës dhe Deltarit në malet e Sharrit.

Filmi përcjell mesazhe për dashurinë ndaj natyrës dhe rëndësinë e mbrojtjes së saj, duke i sjellë këto tema te fëmijët përmes animacionit dhe aventurës.

“Sa herë që dikush më tregon historinë time, malet e Sharrit bëhen edhe pak më të gjelbra”, thotë Uta në film. “Dua që çdo fëmijë ta dijë se natyra jonë është aq e bukur sa ia vlen ta duam dhe ta ruajmë”.

Shfaqja është pritur me entuziazëm nga fëmijët dhe prindërit e pranishëm.

“E kam parë djalin tim të mahnitur nga ekrani nga fillimi deri në fund. Filma të tillë na ndihmojnë t’ua mësojmë fëmijëve dashurinë për natyrën, në një gjuhë që e kuptojnë dhe e duan”, tha një prind i pranishëm në shfaqje.

Edhe fëmijët që morën pjesë në shfaqje ndanë përshtypjet e tyre për personazhet dhe mesazhin e filmit.

“Uta është shumë e guximshme dhe e dua shumë Deltarin! Dua të shkoj në male dhe ta mbaj natyrën të pastër, ashtu si ata”, tha një nxënëse nga njëra prej shkollave pjesëmarrëse.

Mesazhi kryesor i shfaqjes ishte rëndësia e mbrojtjes së natyrës së Kosovës, por edhe mundësia që fëmijët ta përjetojnë dhe ta shijojnë atë.

Udhëtimi i “Uta në Sharr” do të vazhdojë më 18 nëntor në Kino “Jusuf Gërvalla” në Pejë.

Biletat për shfaqjen janë pa pagesë, ndërsa rezervimi i tyre pritet të hapet së shpejti. /telegrafi