Masa e SPAK-ut ndaj Vlora Hysenit, Begaj mbledh të hënën Këshillin e Sigurimit Kombëtar
Të hënën në 8.30 në Pallatin e Brigadave, presidenti Bajram Begaj do të mbledhë Këshillin e Sigurimit Kombëtar, për të diskutuar situatën e sigurisë në vend, pas arrestimit të ish-drejtueses së SHISH-it, Vlora Hyseni.
Në takim do të jetë kryeministri Edi Rama, kryetari i kuvendit Niko Peleshi dhe disa ministra, ai i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i Brendshmi, Ervin Demo, i Financave Petrit Malaj, i Jashtëm Ferit Hoxha dhe i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi.
Nga Kuvendi është pjesëmarrës dhe kryetari i Komisionit të Mbrojtjes, Bledi Çuçi.
Ligji përcakton dhe pjesëmarrjen e shefit të Shtabit të forcave të armatosura dhe kreun e Policisë së Shtetit.
Pritet të shihet nëse të hënën do të vendoset dhe pasuesi i Vlora Hysenit, siç kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se do të propozojë dhe do të këshillohet me kreun e shtetit emrin për kreun e ri te SHISH, që aktualisht drejtohet nga Elvisa Lila.
Këshilli i Sigurimit Kombëtar është thjesht veç një organ këshillimor për presidentin.