Kryesia e Kuvendit nis mbledhjen e parë të legjislaturës XI, në rend dite komisionet parlamentare
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka nisur mbledhjen e parë të Legjislaturës së XI-të, pas konstituimit të Kuvendit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në rend dite të mbledhjes është propozimi për formimin e komisioneve parlamentare, shqyrtimi i Raportit të shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2025, si dhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e Kryesisë.
Kuvendi ishte shpallur i konstituuar më 13 shtator, pas zgjedhjes së nënkryetarëve, ndërsa pozita e nënkryetarit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës kishte mbetur e paplotësuar.
Albulena Haxhiu ishte zgjedhur kryetare e Kuvendit më 9 shtator, me 62 vota për, 16 kundër dhe 13 abstenime.
Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se Kuvendi ishte konstituuar pas skadimit të afatit kushtetues, por kishte kërkuar vazhdimin e procedurës për zgjedhjen e nënkryetarit të dytë.
Sipas Gjykatës, përfundimi i afatit për konstituimin e Kuvendit ka shkaktuar fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, në rast se posti është vakant, si dhe për formimin e Qeverisë.
Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur se afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja në mes të nëntorit.