Pullat postare të Kosovës vlerësohen me dy çmime ndërkombëtare në Pragë
Pullat postare të Postës së Kosovës janë vlerësuar me dy çmime të treta në garën ndërkombëtare “Praga Ars Philatelica 2026”, të zhvilluar në kuadër të panairit “Sberatel – Collector Fair Prague 2026”.
Sipas njoftimit bëhet e ditur se panairi u mbajt më 4 dhe 5 shtator 2026 në PVA Expo Prague, ku emisionet postare të Kosovës u vlerësuan në dy kategori të ndryshme.
“Emisioni “Flora shëruese dhe aromatike”, me autore Hyrije Ademin, zuri vendin e tretë në kategorinë “The Most Beautiful Miniature Sheet”. Ndërkaq, emisioni “Qytetet e Kosovës – Janjeva”, me autor Milot Krasniqin, u rendit i treti në kategorinë speciale “Architecture on Stamps”, thuhet në njoftim.
Posta e Kosovës e cilësoi këtë vlerësim si një tjetër sukses për filatelinë kosovare, duke theksuar se puna krijuese dhe profesionale e emisioneve postare të Kosovës po merr vlerësim edhe në arenën ndërkombëtare.
“Pulla postare, përveçse janë pjesë e trashëgimisë filatelike, përfaqëson edhe një ambasadore të kulturës, historisë, trashëgimisë dhe vlerave të Kosovës në botë”, thuhet në njoftim.
Posta e Kosovës me këtë rast ka ftuar të gjithë qytetarët, koleksionistët dhe bizneset, që të blejnë dhe koleksionojnë pullat postare të Kosovës, me qëllim të mbështetjes së zhvillimit të filatelisë dhe ruajtjes së kësaj tradite. /Zëri