KRU “Prishtina”, thirrje konsumatorëve t’i paguajnë faturat e ujit me kohë
Kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” u ka bërë thirrje qytetarëve dhe konsumatorëve t’i kryejnë me kohë obligimet për faturat e ujit.
Sipas KRU “Prishtina”, borxhi i akumuluar ndaj kompanisë arrin në rreth 47 milionë euro, gjë që, sipas kompanisë, ndikon në funksionimin dhe qëndrueshmërinë e shërbimeve të furnizimit me ujë.
Kompania thekson se pagesa e faturave përbën përgjegjësi të secilit konsumator dhe se shmangia e akumulimit të borxheve është e rëndësishme për vazhdimësinë e shërbimit.
“Konsumatorët duhet t’i paguajnë me kohë faturat e ujit. Borxhi prej 47 milionë eurosh është i papranueshëm dhe dëmton funksionimin e shërbimit të ujësjellësit”, thuhet në njoftimin e KRU “Prishtina”.
Nga kompania kanë bërë thirrje për përmbushjen e obligimeve financiare, duke vlerësuar se pagesa me kohë e faturave është në interes të të gjithë qytetarëve dhe kontribuon në një shërbim të qëndrueshëm të furnizimit me ujë.