Bjellorusia liron 15 të burgosur, mes negociatave me SHBA-në
Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka falur 15 të burgosur të tjerë, sipas një deklarate të publikuar nga zyra presidenciale.
Vendimi vjen vetëm disa javë pas lirimit të 25 personave të tjerë në kuadër të faljeve të mëparshme, pas bisedimeve mes autoriteteve bjelloruse dhe përfaqësuesit amerikan John Coale.
Sipas zyrës së Lukashenkos, 13 nga 15 personat e falur ishin dënuar për akuza të lidhura me “ekstremizmin”, një kategori që përdoret gjerësisht nga autoritetet bjelloruse në rastet e kundërshtarëve politikë dhe aktivistëve. Dhjetë prej personave të liruar janë gra.
Më herët gjatë këtij muaji, negociatori amerikan John Coale siguroi lirimin e 25 të burgosurve pas takimeve me Lukashenkon. Në atë kohë, Coale deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të hiqnin disa sanksione ndaj dy kompanive bjelloruse në këmbim të lirimeve.
Procesi i lirimeve është zhvilluar në kuadër të përpjekjeve të administratës amerikane për të negociuar me Minskun për çështjen e të burgosurve politikë, ndërsa Uashingtoni dhe Bjellorusia po diskutojnë edhe çështje ekonomike.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi në fillim të kësaj jave se Shtetet e Bashkuara po punojnë me Bjellorusinë për një marrëveshje që lidhet me plehrat potasike, të cilat përdoren gjerësisht në bujqësi. /abcnews