Djali i Afrim Bunjakut i preku të gjithë me fjalët për babanë: Më mungon dora dhe prania jote

Në Akademinë Përkujtimore të organizuar në trevjetorin e rënies së heroit Afrim Bunjaku, djali i tij i vogël, Fatlum Bunjaku, ka emocionuar të pranishmit me fjalët kushtuar babait të tij.

Fatlumi tha se mungesa e babait vazhdon të ndihet çdo ditë, ndërsa kujtimi dhe dashuria për të mbeten të pandryshuara.

"Për ty hero. Sot po të flas, o babai im, me mallin që s'di të shuhet. Me zemrën që të kërkon çdo ditë dhe me dashurinë që koha s'e tretë. Më mungon dora që më udhëheqte. Ajo dorë që më largonte frikën dhe prania jote në çdo kohë, si një strehë e sigurt në mes të stuhisë.

“Për mua, para se të ishte hero, ti ishte babai im i dashur. Forca ime, drita ime, njeriu që ma mbushte botën me siguri”, u shpreh ai.

Në fjalën e tij, ai kujtoi edhe mësimet që kishte marrë nga i ati, duke theksuar se ai e kishte mësuar se atdheu dashurohet me vepra e guxim, ndërsa nderi mbrohet me sakrificë.

“Ti më mësove se atdheu dashurohet me vepra e guxim, se nderi mbrohet me sakrificë dhe fjala bëhet betim”.

“Sot, me mall e krenari, emrin tënd e them më të lartë, që ta dëgjojë toka e qielli, që ta mbajë era nëpër male, dhe të mos shuhet kurrë në kujtesë”, tha Fatlumi. /klankosova