Zbulohen dy specie të reja karkalecash malorë në Shqipëri
Dy specie të reja karkalecash malorë janë përshkruar shkencërisht në Shqipërinë jugore, duke pasuruar njohuritë mbi biodiversitetin e ekosistemeve malore të vendit.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka njoftuar se speciet e reja janë Montana tomorri dhe Montana dani. Ato i përkasin klasës Insecta, rendit Orthoptera dhe familjes Tettigoniidae.
Montana tomorri është dokumentuar në masivin Tomorr–Kulmak, në habitatet alpine dhe subalpine mbi 1 mijë e 700 metra lartësi. Sipas agjencisë, kjo specie deri më tani nuk është raportuar jashtë kësaj zone dhe konsiderohet endemike e saj.
Emërtimi shkencor tomorri i referohet malit të Tomorrit.
Ndërkaq, Montana dani është dokumentuar në malet e Trebeshinës, Lunxhërisë dhe Nëmërçkës.
Një nga tiparet që ndihmon në dallimin e dy specieve është forma e tegminave, që janë krahët e përparmë të shkurtër. Te meshkujt e M. tomorri, ato janë më të ngritura dhe majat zakonisht takohen, ndërsa te M. dani janë më të sheshta dhe majat qëndrojnë të ndara.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, përshkrimi i këtyre dy specieve, i botuar në vitin 2026, është mbështetur në studimin e tipareve morfologjike, sinjaleve akustike dhe lidhjeve të tyre evolutive.
Zbulimi i tyre vlerësohet si një kontribut i ri në njohjen dhe dokumentimin e biodiversitetit të ekosistemeve malore të Shqipërisë.