Kuvendarët e Gjilanit miratojnë buxhetin për vitin 2027

Kuvendi i Komunës së Gjilanit, ka miratuar me 24 vota për buxhetin për vitin 2027 dhe vlerësimet e hershme për vitet 2028-2029, në shumën prej 43, 586, 882 euro, që është për 1.6 milion më i lartë krahasuar me vitin paraprak.

Paraprakisht, me vota unanime, Kuvendi i Gjilanit ka miratuar një deklaratë kundër aktgjykimit të padrejtë në Hagë.

Në këtë rast, siç thuhet në komunikatën për media, kryesuesja Krenare Latifi-Kqiku tha se Kuvendi shpreh mospajtimin e tij me dënimin e krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ndërkaq nënkryetari Arianit Sadiku, ka theksuar se ky dënim është i padrejtë, jashtë çdo norme ligjore dhe logjike, duke besuar që ky dënim do të korrigjohet shumë shpejt. 

“Për Gjilanin, kjo çështje ka peshë të veçantë, pasi gjatë luftës në Kosovë humbën jetën 98 civilë dhe ranë 50 dëshmorë, ndërsa shumë familje dhe fshatra u përballën me shkatërrim dhe djegie të tërësishme nga forcat serbe”, ka thënë, përveç tjerash, kryesuesja Latifi-Kqiku.