Donjeta Sadiku fiton medaljen e bronztë në Evropian
Donjeta Sadiku është stolisur me medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të Boksit, që po zhvillohet në Sofje të Bullgarisë.
Boksierja kosovare është ndalur në gjysmëfinale të kategorisë deri në 60 kilogramë, ku u mposht me rezultat 4:1 nga Kristina Kuluhova, e cila përfaqëson Serbinë.
Sadiku e kishte siguruar medaljen një ditë më herët, pas fitores bindëse 5:0 ndaj holandezes Maud van der Toorn në çerekfinale.
Përballja me Kuluhovën ishte një rimeç i finales së Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, ku triumfoi Sadiku dhe u shpall kampione. Këtë herë, fitorja i takoi boksieres që përfaqëson Serbinë.
Megjithatë, Sadiku e mbyll Evropianin me medalje dhe i sjell Kosovës një tjetër sukses në arenën ndërkombëtare.
Medalja e bronztë vjen pas një paraqitjeje të suksesshme në Sofje, ndërsa për suksesin e saj merita kanë edhe trajnerja Marjolla Sallauka dhe Federata e Boksit e Kosovës. /Zëri