Në vitin 1999 Irlanda refuzoi të luante me Jugosllavinë për shkak të luftës në Kosovë

Një artikull i publikuar nga “The Guardian” më 3 qershor 1999 dokumenton qëndrimin e ashpër të qeverisë irlandeze ndaj regjimit të Slobodan Millosheviqit dhe luftës në Kosovë, në një kohë kur Irlanda rrezikonte pasoja sportive për shkak të refuzimit të vizave për ekipin jugosllav.

Sipas artikullit të gazetës britanike, kryeministri i atëhershëm irlandez, Bertie Ahern, kishte refuzuar t'u jepte viza futbollistëve të Jugosllavisë, të cilët pritej të udhëtonin në Dublin për një ndeshje të eliminatoreve të Kampionatit Evropian.

Qeveria irlandeze kishte kërkuar që ndeshja të shtyhej ose të anulohej për shkak të luftës në Ballkan, por UEFA dhe FIFA nuk kishin pranuar ta bënin një gjë të tillë.

Vendimi i Dublinit rrezikonte që Irlanda të përballej me masa sportive, përfshirë mundësinë e përjashtimit nga gara.

Në atë kohë, Federata Irlandeze e Futbollit kishte bërë të ditur se nuk do t'i ofronte mikpritje ekipit jugosllav dhe se himni i Jugosllavisë nuk do të luhej para ndeshjes. Në Dublin priteshin gjithashtu protesta kundër ardhjes së ekipit jugosllav.

Sipas “The Guardian”, kryeministri Ahern e kishte lidhur qëndrimin e qeverisë së tij drejtpërdrejt me veprimet e regjimit jugosllav ndaj popullit të Kosovës.

Qeveria irlandeze e kishte cilësuar situatën në Kosovë si pasojë të “veprimeve ilegale dhe të tmerrshme të regjimit jugosllav kundër popullit të Kosovës”, ndërsa kishte përmendur edhe aktakuzën e Tribunalit Ndërkombëtar ndaj Slobodan Millosheviqit.

Ahern kishte deklaruar se, nëse UEFA nuk do të merrte masa lidhur me ndeshjen, qeveria irlandeze do të duhej të merrte vendimin e saj.

Qëndrimi i Irlandës në atë kohë ishte veçanërisht domethënës pasi vendi nuk ishte anëtar i NATO-s, por qeveria e Ahernit mbështeste ndërhyrjen ndërkombëtare kundër regjimit të Millosheviqit.

Artikulli i “The Guardian”, i publikuar në ditët e fundit të luftës në Kosovë, paraqet një shembull të mënyrës se si konflikti dhe krimet ndaj popullit të Kosovës kishin ndikuar edhe në marrëdhëniet sportive dhe vendimmarrjen politike të vendeve evropiane.

27 vjet pas këtij rasti, sot kombëtarja e Irlandës është në Prishtinë, ku do të luaj me kombëtaren e Kosovës si një shtet i lirë dhe i pavarur. /Zëri