Haxhiu: Serbia t’i dorëzojë Radoiçiqin dhe terroristët e tjerë të Banjskës

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kërkuar që Serbia ta dorëzojë në Kosovë Milan Radoiçiqin dhe personat e tjerë të përfshirë në sulmin në Banjskë, duke u bërë thirrje edhe partnerëve ndërkombëtarë që t’i bëjnë presion Serbisë për dorëzimin e tyre.

Haxhiu këto deklarata i bëri në trevjetorin e rënies në krye të detyrës të rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, gjatë vendosjes së gur themelit të obeliskut kushtuar Bunjakut.

“Tre vjet më parë, në orët e para të 24 shtatorit, Republika e Kosovës u godit rëndë nga një sulm terrorist i organizuar, i mbështetur e i financuar nga Serbia. Por përvoja për mbi dy dekada e heroit Afrim Bunjaku dhe policëve të tjerë të cilët ishin të angazhuar atë ditë, bëri që plani i Serbisë të dështonte. Pra, sakrifica deri në vetëmohim e heroit Afrim Bunjaku dhe po ashtu sakrifica dhe qëndresa e policëve që ishin të angazhuar atë ditë, pikërisht ajo bëri që plani i Serbisë të dështonte”, tha ajo.

Ajo ka thënë se obelisku që do të vendoset në vendin ku ra Bunjaku do të jetë shenjë e respektit institucional për veprën e tij, por edhe një mënyrë që të dokumentohet dhe kujtohet ajo që ndodhi më 24 shtator 2023.

“Obelisku që do të vendoset këtu është shenjë e respektit institucional për veprën e heroit Afrim Bunjaku, por edhe kushdo që do të kalojë në këtë pjesë ku ai ra do të dijë më shumë se çfarë ndodhi atë ditë, cilat ishin planet e Serbisë dhe cila ka qenë sakrifica e policëve të Republikës së Kosovës. E përmenda edhe sot tek vizita e familjes Bunjaku që dhimbja e tyre është dhimbje edhe e jona, sikurse edhe krenaria e tyre është krenari po ashtu edhe e jona. Para pak kohësh tre terroristë u dënuan nga institucionet e drejtësisë, por kjo nuk mjafton. Ne kemi bërë thirrje në vazhdimësi që Serbia ta dorëzojë kryeterroristin Millan Radojçiq e po ashtu edhe mbi 40 terroristë të tjerë që ishin pikërisht në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës me qëllimin që të shtynin përpara planin e Serbisë. Edhe sot bëjmë thirrje partnerëve tanë ndërkombëtarë që t’i bëjnë presion Serbisë sepse nuk mund të vazhdohet tutje në asnjë proces tjetër pa u dorëzuar Serbia terroristët, pa i dorëzuar Serbia kryeterroristin Millan Radoiçiq dhe gjithë terroristët e tjerë”, tha ajo.