KQZ-ja miraton dy dokumente analitike nga proceset zgjedhore të viteve 2025 dhe 2026

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e sotme ka miratuar dy dokumente analitike që trajtojnë aspekte të rëndësishme të proceseve zgjedhore të zhvilluara gjatë viteve 2025 dhe 2026.

Dokumentet sjellin të dhëna dhe analiza mbi përdorimin e votimit me asistencë, si dhe përfaqësimin gjinor dhe moshën e kandidatëve dhe vëzhguesve të subjekteve politike.

Në mbledhjen e radhës, KQZ-ja shqyrtoi gjithashtu mësimet e nxjerra nga zgjedhjet e 7 qershorit 2026 dhe aktivitetet e delegacionit të institucionit gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë mbledhje, KQZ-ja mori vendim për miratimin e dokumentit me titull: “Analizë e votave me asistencë – zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 7 qershor 2026”.

Ky dokument, synon të ofrojë një pasqyrë gjithëpërfshirëse të përdorimit të votimit me asistencë, duke analizuar karakteristikat dhe përputhshmërinë ligjore të rasteve të evidentuara, shtrirjen e këtij lloji të votimit në nivel vendi dhe sipas komunave, arsyet që kanë çuar në kërkesën për asistencë gjatë votimit, si dhe çështjet dhe praktikat që mund të kërkojnë përmirësim për të garantuar një proces zgjedhor më të qartë, të rregullt dhe në përputhje me kërkesat ligjore në zgjedhjet e ardhshme.

Sipas dokumentit, gjatë zgjedhjeve paralmentare të 7 qershorit, KQZ-ja ka evidentuar 3,491 raste të votimit me asistencë, të cilat përbëjnë 0.48% të numrit të përgjithshëm të votuesve që kanë marrë pjesë në votim (725,701).

Të dhënat tregojnë një ulje të konsiderueshme të rasteve të votimit me asistencë në zgjedhjet e 7 qershorit (3,491) në krahasim me zgjedhjet e njëjta, të mbajtura më 28 dhjetor 2025 (5,824).

Violeta Salihu anëtare e KQZ-së nga radhët e LVV-së, tha se analiza përmban përfundime dhe rekomandime për përmirësimin e procesit të votimit.

“Sipas të dhënave të analizuara, në zgjedhjet e 7 qershorit 2026 janë evidentuar 3.491 raste të votimit me asistencë, që përbën 0.48% të numrit të përgjithshëm të votuesve.

Në kuadër të analizës është përfshirë dhe krahasimi i votimit me asistencë ndërmjet zgjedhjeve të 20 dhjetorit 2025 dhe zgjedhjeve të 7 qershorit 2026. Të dhënat tregojnë një rënie të konsiderueshme të rasteve të votimit me asistencë në zgjedhjet e fundit. Nga 5,824 raste të evidentuara në dhjetor 2025, në zgjedhjet e qershorit 2026 janë evidentuar 3,491 raste, pra 2,333 raste më pak e që përbën një ulje prej rreth 40%.

Si përfundim, analiza përmban konkluzione dhe rekomandime konkrete për përmirësimin e mëtutjeshëm të procesit të votimit me asistencë, të cilat do t’u shërbejnë si bazë për planifikimin dhe organizimin e proceseve të ardhshme zgjedhore”, tha Salihu.

Në pikën tjetër të rendit të ditës, KQZ-ja mori vendim për miratimin e dokumentit: “Analizë e gjinisë dhe moshës për kandidatët dhe vëzhguesit e subjekteve politike në zgjedhjet e vitit 2025”. Ky dokument, përmban të dhënat për gjininë dhe moshën e kandidatëve të certifikuar dhe vëzhguesve të akredituar të subjekteve politike për dy proceset zgjedhore të vitit 2025: Zgjedhjet Lokale (12 tetor) dhe zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës (28 dhjetor).

Në Zgjedhjet Lokale 2025, KQZ-ja kishte certifikuar 5,624 kandidatë, prej të cilëve 205 për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kryetarë të Komunave (20 gra dhe 185 burra) dhe 5,419 kandidatë për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvende Komunale (2,024 gra dhe 3,395 burra). Ndërkaq, në këto zgjedhje, KQZ kishte akredituar 19,588 vëzhgues, të cilët përfaqësonin subjekte politike dhe organizata të ndryshme vëzhguese. Pjesa më e madhe e vëzhguesve të akredituar (18,348) përfaqësonin subjekte politike, prej të cilëve 4,623 gra (25%) dhe 13,725 burra (75%). Pjesa tjetër e vëzhguesve të akredituar (1,240) përfaqsonin organiza jo-qeveritare vendore (314), organizata qeveritare (2), organizata ndërkombëtare (207), përfaqësi diplomatike në Kosovë (32), media vendore / ndërkombëtare (685).

Në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2025, KQZ kishte certifikuar 1,180 kandidatë për deputetë, 393 gra (33%) dhe 787 burra (67%), të cilët përfaqësonin 24 subjekte politike pjesëmarrëse në zgjedhje. Ndërkaq, në këto zgjedhje, KQZ kishte akredituar 19,222 vëzhgues, të cilët përfaqësonin subjekte politike dhe organizata të ndryshme vëzhguese. Pjesa më e madhe e vëzhguesve të akredituar (17,573) përfaqësonin subjkekte politike, prej të cilëve 4,556 gra (26%) dhe 13,017 burra (74%). Pjesa tjetër e vëzhguesve të akredituar (1,694) përfaqsonin organiza jo-qeveritare vendore (874), organizata ndërkombëtare (121), përfaqësi diplomatike në Kosovë (13), media vendore / ndërkombëtare (641).

Këto dy dokumente do të publikohen të plota në uebfaqen zyrtare të KQZ-së.

Gjatë kësaj mbledhje, KQZ-ja shqyrtoi dhe miratoi agjendën e punëtorisë me Zyrtarët Ekzekutivë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve lidhur me mësimet e nxëna nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 7 qershor 2026.

Po ashtu, në këtë mbledhje u prezantua një njoftim përmbledhës nga vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e delegacionit të KQZ-së, e cila është realizuar nga data 17 deri më 27 gusht 2026. /EO