Gërvalla për trevjetorin e Banjskës: Mbi agresionin, krimin e terrorin fitoi Kosova
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka përkujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e sulmit terrorist në Banjskë, duke thënë se drejtësia për autorët e sulmit duhet të vendoset.
Gërvalla ka kujtuar Bunjakun, i cili u vra më 24 shtator 2023 në krye të detyrës, gjatë sulmit të armatosur në veri të Kosovës.
“Atë mëngjes, në një sulm të organizuar, të udhëhequr dhe të financuar nga Beogradi, në mbrojtje të Republikës, të ligjit, të sovranitetit dhe të qytetarëve të këtij vendi, ra në krye të detyrës rreshteri i Policisë së Kosovës, Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku”, deklaroi Gërvalla.
Ajo tha se sulmi i 24 shtatorit 2023 kishte, sipas saj, për qëllim cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës përmes pushtimit të një pjese të territorit në veri.
Duke folur për përgjegjësinë penale për sulmin, Gërvalla tha se tre vjet pas ngjarjes, “drejtësia ka filluar të flasë”, duke iu referuar dënimit të tre personave të përfshirë në sulm.
Ajo përmendi edhe Milan Radoiçiqin, të cilin e cilësoi si një prej figurave kryesore të sulmit, duke thënë se ai vazhdon të jetë i lirë në Serbi.
“Edhe të tjerët nuk kanë ku të fshihen përgjithmonë. Radoiçiqi, kryekrimineli i sulmit të Banjskës, kreu në hije i Listës Serbe dhe njeriu që udhëhoqi sulmin, ende fshihet i lirë në Serbi, në gjirin e Vuçiqit në Beograd. Ai iku nga Kosova, por nuk mund t’i ikë përgjithmonë përgjegjësisë e drejtësisë”, u shpreh ajo.
Gërvalla i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të kërkojë nga Serbia ekstradimin e personave përgjegjës për sulmin.
“Në vend të përsëritjes së frazave boshe, BE-ja duhet të kërkojë qartë dhe pa ekuivok nga Vuçiqi ekstradimin dhe ndëshkimin e gjithë përgjegjësve të Banjskës. SERBIA DUHET T’I DORËZOJË. TË GJITHË. Vetëm kështu mund të vendoset drejtësia”, tha Gërvalla.
Në fund, ajo ka thënë se Kosova nuk do ta harrojë Afrim Bunjakun dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës që u përballën me sulmin.
“Atë mëngjes ne humbëm një Hero. Por mbi agresionin, krimin e terrorin fitoi Kosova, fitoi Republika. Fitoi e drejta dhe e vërteta. Dhe në fund, do të triumfojë edhe drejtësia”, tha Gërvalla.
Ajo shtoi se Kosova do të vazhdojë të kërkojë drejtësi derisa përgjegjësit të përballen me të, “kudo që fshihen dhe sado i fuqishëm të jetë pushteti që i mbron”. /Zëri