Shqetësime për funksionimin e Speciales

Shqetësimet për funksionimin e Dhomave të Specializuara në Hagë janë ngritur prej kohësh. Në fokus kanë qenë transparenca, llogaridhënia dhe të drejtat e të paraburgosurve. Një raport i pavarur evidenton çështje lidhur me provat me origjinë nga Serbia dhe funksionimin e Speciales.

Shqetësimet rreth mënyrës së funksionimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ishin ngritur shumë kohë para se të shpallej aktgjykimi i shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në fokus kanë qenë ndër vite çështje të ndryshme, nga transparenca dhe llogaridhënia, të drejtat e të paraburgosurve, pavarësia institucionale dhe mënyra e administrimit të provave.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, deklaroi në RTK se, në një takim me kryetaren e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, kishte ngritur pikëpyetje për transparencën, llogaridhënien dhe standardet e një gjykimi të drejtë e të paanshëm.

Trendafilova, sipas Qelajt, i kishte kundërshtuar këto shqetësime, duke argumentuar se Dhomat e Specializuara i përmbushin standardet ndërkombëtare dhe janë transparente.

Por Qelaj thotë se përgjigjet e marra nuk ishin të mjaftueshme për ta bindur atë. Pas këtij takimi, ai vizitoi të paraburgosurit në Hagë dhe u takua me ekipet e mbrojtjes. Më pas, me letër, iu drejtua kryetares së Dhomave të Specializuara, duke kërkuar ndërmarrjen e masave lidhur me shqetësimet që kishte ngritur.

Në vazhdën e këtij angazhimi, Institucioni i Avokatit të Popullit kërkoi një vlerësim të pavarur nga Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Odës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit.

Rezultati ishte një raport paraprak prej 92 faqesh, i hartuar nga Dr. Gus Waschefort dhe Lauren Lederle, në të cilin autorët evidentojnë një varg çështjesh që, sipas tyre, kërkojnë vëmendje dhe shqyrtim të mëtejshëm.

Një kapitull i veçantë i raportit i kushtohet pranueshmërisë së provave, duke përfshirë materialet e siguruara nga autoritetet serbe. Sipas raportit, mbrojtja kishte pretenduar se, përmes platformës së administrimit të provave, kishte identifikuar të paktën 2 mijë e 356 dokumente me origjinë nga Serbia ose nga organet e saj.

Raporti e trajton këtë si çështje që lidhet me autenticitetin, besueshmërinë dhe pranueshmërinë e materialeve, veçanërisht sa i përket mënyrës së sigurimit, prejardhjes dhe zinxhirit të ruajtjes së tyre. Kjo çështje ishte ngritur edhe nga mbrojtja më herët.

Më 12 korrik 2022, katër ekipet e mbrojtjes paraqitën së bashku një mocion, përmes të cilit kërkuan zbulimin e materialeve që buronin nga Serbia, informacion për prejardhjen e tyre, si dhe të dhëna për marrëdhëniet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar me institucionet serbe.

Në parashtresat e tyre, ekipet e mbrojtjes ngritën pikëpyetje për besueshmërinë e materialeve me burim serb dhe kërkuan informacione lidhur me krijimin, sekuestrimin, ruajtjen dhe origjinën e dokumenteve, përfshirë nëse ekzistonin origjinalet dhe nëse mund të rindërtohej zinxhiri i ruajtjes së tyre.

ZPS-ja e kishte kundërshtuar këtë kërkesë.

Në raport trajtohet edhe interesi institucional i Serbisë për rezultatet e proceseve ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Autorët përmendin, ndër të tjera, deklarata publike të zyrtarëve serbë lidhur me sigurimin e dokumenteve dhe dëshmitarëve që kanë të bëjnë me pretendimet për krime të UÇK-së.