Italia i hap rrugën rikthimit të energjisë bërthamore, 40 vjet pas Çernobilit

Senati i Italisë i dha të mërkurën miratimin përfundimtar ligjit që i hap rrugën rikthimit të energjisë bërthamore në vend.

Ligji u miratua me 81 vota pro, 51 kundër dhe shtatë abstenime.

Votimi shënon një hap të rëndësishëm në përpjekjet e qeverisë së kryeministres Giorgia Meloni për të forcuar sigurinë energjetike dhe për të përmbushur objektivat klimatike. Megjithatë, miratimi i ligjit nuk do të thotë se Italia mund të nisë menjëherë ndërtimin e reaktorëve të rinj.

Projektligji, i miratuar më parë edhe nga Dhoma e Deputetëve, krijon kuadrin ligjor për teknologjitë bërthamore të brezit të ri. Ai i jep qeverisë 12 muaj kohë për të hartuar aktet zbatuese që do të përcaktojnë si jepen lejet për reaktorët, standardet e sigurisë, mënyrën e administrimit të mbetjeve radioaktive dhe kriteret për zgjedhjen e vendeve ku mund të ndërtohen centralet.

Italia po e shqyrton rikthimin te energjia bërthamore pasi qytetarët e refuzuan atë dy herë me referendum: në vitin 1987, pas katastrofës së Çernobilit, dhe sërish në vitin 2011, pas aksidentit në centralin japonez të Fukushimës.

Ministri italian i Mjedisit dhe Sigurisë Energjetike, Gilberto Pichetto Fratin, e quajti votimin një hap historik.

“Energjia bërthamore nuk është kthim në të kaluarën. E përdorur së bashku me energjinë e rinovueshme, ajo është një teknologji që mund të japë rezultate të jashtëzakonshme për sigurinë tonë energjetike”, tha ai.

Pse Italia kërkon rikthimin e energjisë bërthamore

Qeveria Meloni argumenton se kërkesa në rritje për energji elektrike, objektivat për uljen e emetimeve dhe shqetësimet për sigurinë energjetike pas pushtimit rus të Ukrainës e bëjnë të nevojshëm rikthimin e energjisë bërthamore në prodhimin vendas.

Në vend që të ndërtojë centrale të mëdha si ato të së kaluarës, qeveria po përqendrohet te reaktorët e vegjël modularë, të njohur si SMR, dhe teknologji të tjera të avancuara. Mbështetësit e tyre thonë se këta reaktorë mund të jenë më të sigurt, më fleksibël dhe të ndërtohen më shpejt.

Ligji i sapomiratuar nuk autorizon ndërtimin e asnjë reaktori. Ai përcakton rregullat që duhen përpara se projektet e ardhshme të propozohen, të shqyrtohen dhe të marrin miratimin.

Italia ka qenë dikur ndër vendet pioniere të energjisë bërthamore në Evropë dhe kishte katër reaktorë në funksion. Referendumi i vitit 1987 i dha praktikisht fund programit të saj. Që atëherë, vendi është mbështetur shumë tek importet e energjisë dhe është bërë një nga konsumatorët më të mëdhenj në Evropë të energjisë elektrike të prodhuar nga centralet bërthamore të vendeve fqinje.

Sipas qeverisë, kërkesa për energji elektrike mund të rritet ndjeshëm në vitet e ardhshme, teksa banesat, bizneset dhe transporti përdorin gjithnjë e më shumë energji elektrike. Edhe zgjerimi i qendrave të të dhënave dhe i teknologjive të tjera që kërkojnë shumë energji pritet ta rrisë konsumin.

Mbështetja po rritet, por mbeten pengesa

Vendimi i Italisë vjen në një kohë kur në Evropë po diskutohet më gjerësisht roli i energjisë bërthamore në uljen e emetimeve të karbonit dhe të varësisë nga karburantet fosile të importuara. Franca dhe Polonia janë mes vendeve që po investojnë në projekte të reja bërthamore ose po planifikojnë zgjerimin e tyre.

Edhe qëndrimet e publikut italian duket se kanë ndryshuar. Një sondazh i kryer në qershor 2026 nga kompania kërkimore Only Numbers tregoi se rreth 55% e italianëve mbështesin centralet bërthamore të brezit të ri. Mbështetja ishte më e fortë te të rinjtë, të cilët nuk e kanë përjetuar drejtpërdrejt katastrofën e Çernobilit.

Megjithatë, ndërtimi i reaktorëve të rinj përballet me pengesa të mëdha. Italia ende nuk ka një venddepozitim të përhershëm kombëtar për mbetjet radioaktive të programit të saj të mëparshëm bërthamor. Këto mbetje vazhdojnë të ruhen në objekte të përkohshme në pjesë të ndryshme të vendit. Projektet e ardhshme për reaktorë dhe venddepozitime pritet gjithashtu të hasin kundërshtim nga komunitetet lokale.

Analistët e energjisë kanë ngritur pikëpyetje edhe për koston. Ndërtimi i centraleve bërthamore është i shtrenjtë, ndërsa në Evropë ende nuk ka projekte me reaktorë të vegjël modularë që të jenë provuar në funksionim tregtar në shkallë të gjerë. Sipas vlerësimeve të industrisë, një reaktor SMR me kapacitet 300 megavat mund të kushtojë nga 3 deri në 6 miliardë euro, pa përfshirë shpenzimet shtesë për infrastrukturën dhe rrjetin elektrik.

Reaktorët e rinj mbeten larg

Michele Governatori, këshilltar i lartë për energjinë në organizatën për klimën dhe energjinë ECCO, e vlerësoi krijimin e kuadrit rregullator, por tha se ai mund të nxjerrë në pah interesin e kufizuar të investitorëve privatë për projektet e reja bërthamore.

“Të kesh një kuadër rregullator është pozitive, por ai do të tregojë edhe interesin e kufizuar të investitorëve privatë për teknologji që sot ose nuk janë konkurruese, ose nuk janë ende gati, si reaktorët e vegjël modularë”, tha Governatori.

Sipas tij, Italia duhet të përqendrohet edhe te masat që mund të zbatohen që tani për të ulur kostot e energjisë dhe varësinë nga karburantet fosile. Ai përmendi përdorimin më të gjerë të energjisë elektrike, rritjen e efikasitetit energjetik, burimet e rinovueshme, kapacitetet për ruajtjen e energjisë dhe përmirësimin e rrjetit elektrik.

Organizatat mjedisore dhe partitë opozitare kanë paralajmëruar kundërshtimin e planeve të qeverisë. Përplasjet pritet të bëhen më konkrete kur të propozohen vendet ku mund të ndërtohen reaktorët dhe ku do të ruhen mbetjet radioaktive.